Sot ndahen përgjithmonë rrugët politike të Ramës me Metën? Kryeministri nuk mungon në parlament, do të flasë 30 minuta për shkarkimin e Presidentit

09/06/2021 10:29

Kryeministri Edi Rama nuk do të mungojë në seancën parlamentare ku do të vendoset për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Jo vetëm që do të jetë i pranishëm në Kuvend, por Rama do të mbajë një fjalim për 30 minuta, ku mund t’i japë “lamtumirën” ish aleatit të tij.

Në listën e diskutuesve, rezulton se kryeministri është përfaqësuesi i qeverisë që do të ketë kohën më të madhe se të gjithë deputetët e pranishëm për të folur për shkeljet e Metës para, gjatë dhe ditën e zgjedhjeve të 25 prillit.

Rama ishte në një vizitë zyrtare në Bullgari, ku zhvilloi takime me krerët më të rëndësishëm të shtetit. Megjithatë, vizita e tij nuk zgjati pasi duhet të ishte i pranishëm në vendimin e rëndësishëm që do të japë Kuvendi për Presidentin e Republikës.

Seancën parlamentare e ka nisur Kreu i komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, Alket Hyseni, i cili po lexon gjetjet, dhe shkeljet e kushtetutës që supozohet të ketë bërë presidenti.

Në këtë përballje finale me Ilir Metën socialistëve u duhen 94 vota të cilat të vetëm nuk i kanë.

Megjithatë nuk pritet ndonjë surprizë por me interes do të shihet, numri total i votave pro shkarkimit, që do të prodhohen nga ky votim. Kujtojmë se Ilir Meta ka shprehur vendosmëri në qëndrimin në presidencë deri në korrik 2022.

FOTO GALERI
2/16

Top Channel