Në Shqipëri janë konfirmuar rastet e para të gripit të shpendëve. Ministria e Bujqësisë njofton se po monitoron situatën dhe thekson se “Sëmundja është e pranishme vetëm në 3 vatra, që ndodhen respektivisht në Njësinë Administrative Fushë- Krujë, në Njësinë Admistrative Dajt dhe në Njësinë Administrative Bujan”.
Ministria e Bujqësisë thotë se pas njoftimit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve, për praninë e virusit të Gripit të shpendëve në disa vende të rajonit dhe më gjerë u hartua një plan masash mbrojtëse.
Së pari, u bë ndalimi i hyrjes të shpendëve nga vendet që kanë konfirmuar praninë e sëmundjes. Pranë Ministrisë së Bujqësisë është ngritur Qendra Kombëtare e Krizës për drejtimin dhe koordinimin e planit të veprimit. Pas analizimit të mostrave nga rastet e dyshimta në shpendë të oborrit, në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë është konfirmuar prania e Gripit të shpendëve.
Shërbimi Veterinar kreu eliminimin e shpendëve të prekur dhe të dyshimtë, si dhe mori masat për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
Në vijim, Urdhëri i Ministres ndalon në rang kombëtar tregtimin e shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla. Lejohet lëvizja e shpendëve me destinacion thertoret, të shoqëruar vetëm me certifikatë shëndetësore veterinare.
Top Channel