Në Velipojë dhe Ksamil ka nisur prishja e ndërtimeve pa leje.
Në Velipojë, IKMT njoftoi dje se janë 15 objekte që do të prishen ku vetëm 2 prej tyre janë në zonën e bregdetit ndërsa pjesa tjetër janë në zonën e banuar. Mësohet se aksioni po ndiqet edhe nga zv.ministri, Besfort Lamallari.
“Nuk ka pasur konfrontime, por mbetet për t’u parë pasi deri tani janë shembur vetëm 2 dhe në vazhdim priten edhe 13 të tjera”, tha gazetari Klodian Zhivani.
Në Ksamil pritet që të shemben rreth 30 objekte.
“Deri tani nuk ka veprime konkrete, por IKMT ka radhitur fadromat krah objekteve dhe pritet që pas pak aksioni të fillojë edhe konkretisht. Pritet që pjesë e kësaj ndërhyrje të jenë shumë objekte. Pronarët kanë filluar që t’i çmontojnë vetë objektet. Nuk ka pasur reagime të forta, por pritet që të ketë sepse ka edhe objekte që janë mbi 2,3, apo 4 kate”, tha gazetarja Kristina Fidhi nga Ksamili.
Pas Ksamilit dhe Velipojës, operacioni do të vijojë në drejtimet respektive me prishjen e objekteve zonë pas zone. Objektet variojnë nga 1 deri në 5 kate, me struktura beton-arme dhe të lehtësuara.
Top Channel