Programi “Dua të të bëj të lumtur” edhe këtë sezon të pestë na përcolli gjatë gjithë rrugëtimit të tij emocione të mëdha duke trajtuar histori nga më të jashtëzakonshmet.
Për të na sjellë këto histori në ekranet tona punon një staf i madh me në krye vetë moderatoren shumë të dashur për publikun, Arbana Osmani. Siç dihet, pjesën e fundit të episodit final moderatorja ia dedikon stafit të saj, skuadrës së Dua-s.
Edhe këtë radhë, të ftuar në studio ishte stafi i programit për të cilët moderatorja kishte përgatitur një klip në të cilin u shfaqën të gjitha momentet më gazmore gjatë regjistrimit të emisioneve, por dhe regjistrimit të postave të postierëve.
Arbana në studio i shprehu mirënjohjen dhe i falenderoi të gjithë për punën e palodhur duke theksuar se janë stafi me të cilin do të vazhdojë të punojë mesa duket edhe për një projekt të ri të cilin moderatorja e la surprizë për më vonë. Surpriza tjetër që moderatorja kishte rezervuar vetëm për vajzat e stafit ishte një udhëtim prej disa ditësh në qytetin e ‘ëndrrave’ në Dubai, ndërsa për djemtë kishte rezervuar një udhëtim në Amsterdam pasi të lirohen masat anti- Covid.
Nga ana tjetër stafi kishte rezervuar një surprizë për zonjën e shtëpisë, duke i sjellë në studio mësuesen e fillores, e cili ndau me ne kujtime nga fëmijëria e Arbanës duke treguar se sa krenare ishte për të. Gjithashtu stafi i programit kishte realizuar një klip ku secili prej tyre kishte diçka për t’i thënë moderatores së programit, një klip emocionues i cili e përloti atë.
Puntatën finale të sezonit të kaluar, stafi i programit i kishin përgatitur një kamer të fshehtë Arbanës, duke i sjellë dy aktorë të cilët krijuan një skenë konflikti për ta bërë situatën të pamenaxhueshme. Kësaj here Arbana së bashku me stafin e madh të “Top Channel” i kishin përgatitur një kamer të fshehtë regjisorit të programit, Eduart Grishaj, ku në një moment gjatë regjistrimit pajisjet në studio filluan të kenë probleme teknike. Regjisori pavarësisht problemeve teknike të mëdha që po haste, e përballoi situatën me profesionalizëm dhe në fund kuptoi që kishte rënë pre e një kurthi të përgatitur nga kolegët e tij.
Në fund Arbana Osmani falenderoi publikun që e ka mbështetur gjithmonë gjatë gjithë rrugëtimit të saj, por dhe falenderoi stafin e madh të “Top Channel” duke na lënë takimin e radhës së shpejti.
Top Channel