Kili pezulloi vaksinën AstraZeneca kundër koronavirusit (COVID-19) për personat nën moshën 45-vjeç për shkak të një rasti të trombozës (mpiksja e gjakut) te një person i cili mori këtë vaksinë.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se tek një person 31-vjeç i cili u vaksinua me vaksinën AstraZeneca më 1 qershor pati mpiksje të gjakut. Për shkak të kësaj, aplikimi i kësaj vaksine do të pezullohet për personat nën 45-vjeç.
Duke përmendur se çështja u përshkrua si “e rrallë” dhe ende po hetohet më tej thuhet se “Po bëhen analiza nga njësia e vaksinave farmakovigjilente të Institutit të Shëndetit Publik si një masë parandaluese. Autoriteti shëndetësor ka ndryshuar moshën e administrimit të kësaj vaksine në të paktën 45-vjeç derisa të marrim rezultatet e studimit të përmendur”.
Gjithashtu thuhet se 7 ditë pas marrjes së vaksinës personi në fjalë shfaqi simptoma të tilla si dobësi, ethe, të vjella dhe marramendje. Në deklaratë bëhet e ditur se 313.572 persona u vaksinuan me vaksinën AstraZeneca, nga të cilët 12.988 morën edhe dozën e dytë. Ndërsa në vend vaksina kundër COVID-19 u aplikua tek 10.928.685 persona, ku 8.180.288 nga këta përfunduan programin e vaksinimit. Kili me një popullsi prej rreth 20 milionë banorë regjistroi 29.598 viktima nga COVID-19 si dhe 1.403.101 raste me këtë virus.
Top Channel