Dy gjigantë farmaceutikë evropianë, Sanofi i Francës dhe GlaxoSmithKline i Britanisë, thanë të enjten se po fillojnë një provë klinike të fazës së vonë për vaksinën e tyre eksperimentale të krijuar me teknologjinë e rikombinimit, pas njoftimeve se provat në shkallë më të vogël kishin dhënë rezultate pozitive.
Prova e zgjeruar do të përfshijë mbi 35,000 të rritur në Azi, Afrikë, Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara.
Kompanitë do të testojnë efikasitetin e vaksinës së re në dy faza, së pari në versionin origjinal të koronavirusit dhe pastaj në një variant që u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut.
Në javët e ardhshme do të bëhen gjithashtu prova për të përcaktuar nëse vaksina e re mund të përdoret si përforcim për një dozë të mëparshme, pavarësisht nga cila vaksinë.
Një zyrtar i firmës Sanofi tha se vaksina mund ta marrë autorizimin për përdorim në tremujorin e fundit të këtij viti, nëse provat e fazës 3 dalin me sukses.
Vaksinat e krijuara me teknologjinë e rikombinimit përdorin pjesë të caktuara të virusit, siç është proteina që përmban ai. Për këtë arsye ato japin një përgjigje të fortë imune që ka si shënjestër pikërisht këto pjesë të virusit.
Një avantazh është se ato mund të përdoren edhe tek njerëzit me sistem imunitar të dobësuar apo me probleme shëndetësore kronike./VOA/
Top Channel