Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se i kanë mirëpritur vendimet për sanksione që Bashkimi Evropian ka marrë kundër Bjellorusisë në të cilën një avion i udhëtarëve u ul me arsyetimin e denoncimit për bombë dhe në të cilin u arrestua një gazetar opozitar.
Stoltenberg dha një deklaratë për mediat lidhur me bisedimet në selinë e NATO-s me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas. Duke përmendur uljen e avionit të udhëtarëve të linjës Athinë-Vilnius të kompanisë Ryanair dje në Bjellorusi me arsyetimin e denoncimit për bombë dhe arrestimin e një gazetari opozitar brenda avionit, Stoltenberg e quajti këtë veprim si “të papranueshëm”.
“Kjo është një pirateri shtetërore dhe është tregues se si regjimi i Minskut sulmon të drejtat themelore demokratike”, tha Stoltenberg. Ai tha se mirëpresin vendimet që liderët e BE-së morën mbrëmë ndaj Bjellorusisë. “Në mënyrë emergjente duhet të ndërmerret një hetim ndërkombëtar. Gazetari Raman Pratasevich dhe e dashura e tij Sofia Sapega duhet të lirohen menjëherë”, tha Stoltenberg.
Lidhur me Rusinë, Stoltenberg tha se edhe pse ky vend ka tërhequr pjesërisht grumbullimin ushtarak brenda dhe përreth Ukrainës, ende ka dhjetëra mijëra ushtarë dhe sasi të konsiderueshme të armëve në rajon. Kreu i NATO-s theksoi se Rusia po përpiqet të pengojë lundrimin në Detin e Zi dhe se ky është një shembull që tregon mënyrën e sjelljes agresive të këtij vendi.
Liderët e BE-së në mbledhjen e samitit mbrëmë morën vendim për zbatimin e sanksioneve të reja ekonomike që do të përfshijnë zyrtarë bjellorusë dhe objektiva sektoriale. Gjithashtu u bë thirrje që kompanitë ajrore të BE-së të mos fluturojnë mbi Bjellorusi, të ndalohet hapësira ajrore e BE-së për kompanitë ajrore të Bjellorusisë dhe të pengohet qasja e këtyre kompanive në aeroportet e BE-së.
Top Channel