Zëri i Amerikës e cilëson postimin me me tone të ashpra të presidentit Ilir Meta ndaj vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për t’i ndaluar hyjren në territorin e Shteteve të Bashkuara ish-presidentin dhe ish-kryeministrit të vendit, Sali Berisha dhe familjes së tij, “një sulm të hapur ndaj DASH”.
Vetë zoti Berisha është rezervuar të shprehet për shkaqet që kanë nxitur këtë vendim apo dhe momentin e publikimit të tij. Por presidenti Meta shfaqet i sigurt se sipas tij gjithçka ka të bëjë me zgjedhjet e 25 Prillit, thotë VOA.
Tonet e Metës marrin formën e një sulmi të hapur ndaj Departamentit amerikan të Shtetit, vazhdon shkrimi, që i referohet tekstit të kreut te shtetit si një mesazh të “solidaritetit” që ai thotë se i ka nisur zotit Berisha “pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër”.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën nga Departamenti i Shtetit, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken thoshte se “po shpallte përcaktimin publik të shtetasit shqiptar Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë si i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë. Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetjake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë“.
Për më tepër, thuhet në deklaratë, “retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat e përgjegjshmërisë”.
Top Channel