PSG fiton kupën e Francës/ Icardi dhe Mbappe, heronjtë e ndeshjes finale

20/05/2021 15:38

Paris Saint Germain fiton Kupën e Francës për herë të 14-të në historinë e tij.

Në finalen e këtij kompeticioni, skuadra pariziene mundi Monacon me rezultatin 2-0 duke fituar trofeun e dytë nën drejtimin e Mauricio Pochettinos. Për paris Saint Germanin, kjo është gjithashtu hera e 6-të në 7 vitet e fundit.

Në Saint Denis, Paris Saint Germaini arriti të fitojë ndaj Monacos me rezultatin 2-0 me skuadrën e Principatës që gjithsesi luftoi në këtë përballje, edhe pse në fund i detyrua të dorëzohej. Në fillimin e sfidës u pa një Monaco e vendosur mirë në fushën e lojës, por në minutën e 19-të, Mbappe i rrëmbeu një top Disasi dhe i shërbeu Mauro Icardit në zonë, me argjentinasin që nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Pritej që pas këtij goli, Paris Saint Germain të dominonte e të shënonte gola të tjerë, por gjërat nuk shkuan kështu. Monaco i mbylli hapësirat dhe me kalimin e kohës fitoi terren. Në minutën e 68, skuadra e Niko Kovac kishte shansin më të mirë për të barazuar me Gelson Martins që u ndal nga tranversa pas një gjuajtje-krosim. Pasi kaloi këtë moment rreziku, PSG filloi të sulmojë me më shumë vendosmëri për të evituar ndonjë surprizë të hidhur dhe në minutën e 81-të shënoi golin e dytë me Mbappe që ishte në kufijtë e pozicionit jashtë loje.

Për Monacon u bë e pamundur që të tentonte përmbysjen e disavantazhit dhe në fund festa ishte për Paris Saint Germanin që ngriti sërish trofeun e Kupës së Francës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA