Izraeli dhe Hamasi do të ndërpresin zjarrin mes tyre duke filluar nga ora 2 e mëngjesit të ditës së premte, tha një zyrtar i Hamasit dhe media izraelite.
Kabineti i sigurisë i Izraelit tha se kishte votuar njëzëri në favor të një armëpushimi “të ndërsjellë dhe të pakushtëzuar” për Gazën të propozuar nga Egjipti, por shtoi se për ora e zbatimit ende nuk ishte rënë dakord.
Armëpushimi do të sillte një ndalim të mundshëm të luftimeve, më të ashprat në disa dekada.
Njoftimet vijnë një ditë pasi Presidenti i SHBA Joe Biden i bëri thirrje Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të përpiqej për çtensionimin e situatës dhe ndërkohë që ka patur oferta për ndërmjetësim nga Egjipti, Katari dhe Kombet e Bashkuara.
Një zyrtar i Hamasit i tha agjencisë Reuters se armëpushimi do të ishte “i ndërsjellë dhe i njëkohshëm”.
Media izraelite njoftoi se kabineti i sigurisë i Kryeministrit Benjamin Netanyahu e miratoi armëpushimin në bazë të asaj që një zyrtar thuhet se e quajti “qetësi në këmbim të qetësisë”.
Sulmet me raketa nga Hamasi dhe aleati i tij Xhihadi Islamik rifilluan pas një pauze tetë orëshe të enjten, ndërsa Izraeli vazhdoi bombardimet që tha se kishin për qëllim shkatërrimin e aftësive ushtarake të Hamasit dhe për të parandaluar një konfrontim të ardhshëm pas konfliktit aktual.
Shtëpia e Bardhë: njoftime inkurajuese
Shtëpia e Bardhë tha të enjten se njoftimet për një lëvizje drejt armëpushimit në konfliktin izraelito-palestinez janë inkurajuese, edhe pse Izraeli ka kërcënuar se do të shtojë sulmet ndaj Gazës dhe Hamasi rifilloi hedhjen e raketave pas një ndërprerje.
Përpjekjet diplomatike për një armëpushim u shtuan të enjten pas thirrjes që Presidenti Joe Biden i bëri një ditë më parë Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të çtensionuar gjendjen dhe pas deklaratave të zyrtarit politik të Hamasit, Moussa Abu Marzouk, i cili tha se besonte se armëpushimi do të arrihej “brenda një ose dy ditësh”.
Një burim egjiptian i sigurisë, vendi i të cilit ka ndërmjetësuar armëpushimet mes palëve, tha se ishte rënë dakord në parim për një ndalim të ndërsjellë të luftimeve por hollësitë ende nuk ishin përpunuar.
“Kemi parë njoftime për një lëvizje drejt një armëpushimi të mundshëm. Kjo është sigurisht inkurajuese,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki një konferencë të rregullt për gazetarët.
“Ne besojmë se izraelitët kanë arritur objektiva të rëndësishme ushtarake që ata donin të arrinin në lidhje me mbrojtjen e popullit të tyre dhe për t’iu përgjigjur mijëra sulmeve me raketa nga Hamasi”, tha zonja Psaki.
“Pra, kjo është pjesërisht arsyeja se përse ne mendojmë që ata janë në pozicionin e duhur për të filluar mbylljen e operacionit të tyre,” tha ajo.
Sulmet me raketa ndaj Izraelit u ndalën për tetë orë të enjten, dita e 11-të e konfliktit, por pastaj rifilluan kundër komuniteteve pranë kufirit të Gazës dhe qytetit Beersheba.
Izraeli vazhdoi sulmet ajrore ndaj Gazës që administrohet nga Hamasi, duke deklaruar se synonte të shkatërronte aftësitë e këtij grupi militant islamik që ai të mos niste një konfrontim tjetër në të ardhmen.
Hamasi, i cili shihet nga Perëndimi si organizatë terroriste, nuk ka qenë pjesë e angazhimit të Organizatës për Çlirimin e Palestinës me Izraelin, gjë që çoi në një marrëveshje të përkohshme paqeje në vitet 1990 dhe vendosjen e vetë-qeverisjes së kufizuar palestineze në Bregun e pushtuar Perëndimor./VOA/
Top Channel