Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ ka pranuar vetëm 1 nga 2 ankimimet e LSI dhe e ka rrëzuar atë të PD për rezultatin që u prodhua në zgjedhjet e 25 Prillit në qarkun Berat.
Elvis Cefa relator i këtyre ankimimeve dha detajet e vendimmarrjes së KAS. Në kushtet kur e humbi mandatin për vetëm 77 vota, LSI i kërkoi KAS pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 24 qendra votimi qarku Berat e si pasojë përsëritjen e zgjedhjeve.
Ndërsa PD po për qarkun e Beratit kërkonte nga KAS, marrjen e provave shtesë nga SPAK. Përfaqësuesi ligjor i PD Ivi Kaso u shpreh i zhgënjyer me këtë vendim dhe paralajmëroi ankimime të mëtejshme duke lënë të nënkuptohet se beteja ligjore e demokratëve do të zhvendoset në Kolegjin Zgjedhor.
Ivi Kaso: Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, sot me një vendim që ne e quajmë të kundraligjshëm vendosi përsëri të mos marrë provat e kërkuara nga opozita dhe PD, lidhur me veprimtarinë dhe sjelljen e institucioneve, në momentin e përgatitjes së procesit zgjedhor të datës 25 prill, përkundër kjo detyrimit që Neni 137 i Kodit Zgjedhor. Kjo vendimmarrje konstante për të mos administruar provat që ne kërkojmë shkon në drejtim të kundërt të transparencës të procesit zgjedhor dhe në drejtim të kundërt jo vetëm të pritshmërisë, jo vetëm të opozitës, e cila është ankuese në këtë proces por gjithë shqiptarëve dhe gjithë zgjedhësve për transparencë mbi çdo aspekt, ende të errët të masakrës zgjedhore të 25 prillit.
Krahas hapjes së kutive të 24 qendrave të votimit për të analizuar fillimisht proces verbalet dhe të dhënat e pajisjes të identifikimit elektronik, të hënën KAS do të vijojë edhe me shqyrtimin e më shumë se 20 ankimimeve të mbetura.
Top Channel