Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, tha të enjten në Prishtinë, se përshpejtimi i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian do të shmangte alternativat e rrezikshme si ndryshimi i kufijve.
Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Prishtinë, ndërkohë që të premten do të qëndrojë në Beograd në kuadër të samtit të presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Procesi Bërdo-Brioni.
“Me përshpejtimin e zgjerimit në këtë hapësirë BE-ja do ta përforconte besimin e qytetarëve dhe udhëheqësve në ardhmërinë evropiane, do të nxiste vullnetin politik për reforma dhe para së gjithash, do të shmangte rrezikun nga alternativat e rrezikshme si ndryshimi i kufijve”.
Muajin e kaluar, pati debate për një dokument joformal, non paper, që sic u raportua mbante propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan. Si autor i këtij dokumenti u përfol kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha. Por, presidenti slloven Pahor, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, tha se nuk mbështet idetë e përfolura në atë dokument.
“Qëndrimi im lidhur me këtë është plotësisht i kundërt, unë jam që të mos bisedohet për mundësi të tilla të ndryshimit të kufijve. Unë dëshiroj t’i bind vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian që të vazhdohet me procesin e zgjerimit dhe reformave. Kjo është një domosdoshmëri historike”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pavarësisht kush harton dokumente me ide të tilla, Kosova asnjëherë nuk do t’i pranojë ato.
“Ne duhet mbi të gjitha të kemi vetëbesim, pavarësisht se kush publikon non papers, pavarësisht se kush mund të shtyjë ide të ndryshimit të kufijve, e rëndësishmja është që përfaqësuesit tuaj, përfaqësuesit e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk do t’i pranojnë ato”.
Në fund të muajit të kaluar edhe diplomatët e Gjermanisë dhe Francës mohuan të kenë hartuar një dokument tjetër për rrugën e përmbylljes së procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Top Channel