OBSH: Shqetësim global rreth variantit indian të virusit

11/05/2021 06:47

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të hënën se një variant i koronavirusit që po qarkullon në Indi përbën shqetësim global.

“Ne e klasifikojmë atë si një variant që përbën shqetësim të një niveli global”, tha për shtypin Maria Van Kerkhove e cila kryeson përpjekjet teknike të OBSH-së për koronavirusin. “Kemi në dispozicion të dhëna që sugjerojnë përhapjen e infektimeve”.

Të dhënat e përditshme të situatës në Indi tregojnë një rënie të lehtë të rasteve por megjithatë situata është e rënduar. Zyrtarët e lartë të shëndetësisë thanë të hënën se gjatë 24 orëve të fundit vendi kishte shënuar 366,161 infektime të reja dhe 3,754 vdekje. Ekspertët e shëndetit publik thonë se besojnë se shifrat e infektimeve dhe vdekjeve janë më të larta.

Deri tani, India ka patur 22,6 milionë raste infektimesh, sipas Universitetit Johns Hopkins. Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë infeksione më të larta se India me rreth 32.7 milionë nga 158.3 milionë të infektuar në mbarë botën. Shifrat përpunohen nga një qendër e posaçme e Universitetit Johns Hopkins.

Në Indi ka një shqetësim në rritje rreth një infeksioni “fungal” që prek pacientët e infektuar dhe ata që e kanë marrë veten nga koronavirusi. “Mycormycosis” shkaktohet nga myku dhe mund të ndikojë në strukturën e fytyrës së një personi dhe në disa raste mund të shkatojë verbëri. Pacientët me koronavirus, që vuajnë nga diabeti, përbëjnë pjesën më të rrezikuar nga ky infeksion, thanë ekspertët mjekësorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA