Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski takoi sot kreun e VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski dhe tha se ky takim ka për qëllim rivendosjen e dialogut politik, për të cilin prej vitesh ka pasur kritika të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian.
Në konferencë për media pas takimit, presidenti Pendarovski tha se nuk është tipike për një demokraci që të ketë ndërprerje të komunikimit midis institucioneve.
“Takimi i sotëm me Mickoskin kishte për qëllim rivendosjen e dialogut politik. Për këtë, e dini se jemi kritikuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian për vite me radhë. Nuk është tipike për një demokraci që të ketë ndërprerje të komunikimit midis institucioneve. Ne paguhemi nga qytetarët për të komunikuar për të mirën e tyre dhe jo për të detyruar kokëfortësinë ose tekat personale”, tha Pendarovski.
Lidhur me ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017, kur protestuesit u futën dhunshëm në Kuvend, Pendarovski tha se në takimin me Mickovski ai përsëriti qëndrimin e tij se falja për personat të cilët kanë kryer një krim të paparë në Evropën moderne është jashtë diskutimit, sepse fajësia e tyre në atë proces është vërtetuar në mënyrë të padiskutueshme.
Nëse procesi përsëritet, siç tha Pendarovski, sigurisht nuk do të kryhet nga një faktor politik, por nga gjykata.
Lideri i VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski tha se në takim diskutuan situatën aktuale politike në vend dhe ngjarjet e 27 prillit 2017, duke theksuar se në takimin ai gjeti mirëkuptim nga presidenti Pendarovski.
“Ajo që është një realitet në lidhje me atë rast është se e drejta themelore njerëzore dhe e garantuar kushtetuese për të apeluar, ndërsa vendimi i gjykatës së apelit të të dënuarve për shkak të ngjarjeve të 27 prillit aktualisht ka mbaruar dhe fatkeqësisht shumica e tyre nuk e kanë marrë atë vendim në mënyrë që ata të mund të përdorin më tej mjetin juridik të jashtëzakonshëm, respektivisht të jenë në gjendje që edhe më tej në bazë të provave të reja që sipas informacionit tim i kanë ekipet juridike të këtyre njerëzve, t’i paraqesin në Gjykatën e Lartë ose Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, theksoi Mickoski.
Duke theksuar se ata nuk kërkojnë amnisti dhe mëshirë, Mickoski tha se ata kërkojnë drejtësi për personat e dënuar.
Pas zgjedhjeve në korrik të vitit të kaluar, VMRO-DPMNE ngriu marrëdhëniet me Presidentin e vendit, pasi ai i dha mandatin për të formuar Qeverinë presidentit të LSDM-së dhe kryeministrit aktual, Zoran Zaev.
Top Channel