400 mijë raste të reja brenda 24 orësh dhe India vendos kështu një rekord të ri infektimesh nga koronavirusi.
Bilancin e konfirmoi vetë ministria Indian e shëndetësisë, e cila shtoi gjithashtu se numri i vdekjeve në harkun kohor të një ditë ishte 3.523, ç’ka e çon në 211.853 shifrën totale të jetëve të humbura atje nga pandemia. Dëshpërimi është i madh.
Teksa kriza në vend sa vjen e thellohet, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje qytetarëve të tyre të largohen prej andej. DASH lëshoi një paralajmërim të shëndetit të nivelit 4, më i larti që ekziston. Mediat italiane përcjellin këto ditë lutjen e një dy bashkëshortëve nga Firence që udhëtuan drejt Indisë të adoptonin një vajzë 2 vjeçe, por mbetën të bllokuar atje. “Ju lutemi na ndihmoni të kthehemi, këtu po vdesin të gjithë”, ishte apeli prekës i Simonetta Filippini e Enzo Galli.
Në të njëjtën situatë me ta, janë edhe 70 italianë të tjerë. Në Delhi të Indisë sakaq, zyrtarët kërkuan që të gjenden vende të reja për djegien e viktimave, pasi morgjet dhe krematoriumet e qytetit janë të mbingarkuara me viktimat e koronavirusit.
Vala e dytë e koronavirusit është duke shkatërruar pjesë të tëra të vendit. Dërgesa e parë me furnizime emergjente mjekësore nga SHBA-ja mbërriti atje të premten. E ndërsa vetëm nga 1 maji atje ka nisur zbatimi i planit për vaksinimin e 600 milionë të rriturve, aktualisht përballë furisë së sëmundjes, autoritetet vendase duken të pafuqishme.
Top Channel