Shqiptarët shtojnë kursimet/ Depozitat në banka shkojnë në 9.12 miliardë dollarë

30/04/2021 15:25

Marsi ka shënuar një tjetër rekord në rritjen e depozitave bankare.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kursimet e shqiptarëve prekën nivelin e 1.12 trilionë lekëve apo 9.12 miliardë euro në fund të muajit të kaluar, duke u rritur me rreth 0.5% kundrejt shkurtit të këtij viti.

Ekspertja për ekonominë Elona Shehu shpjegon se kjo tendencë e zgjerimit të depozitave vijon të diktohet nga pasiguritë e lidhura me pandeminë si dhe informalitetin që tenton të hyjë në sistemin bankar përmes tyre.

“Ajo që vihet re është vlera e depozitave. Janë rreth 87% e totalit të depozitave që janë nën 2.5 milionë lekë dhe pjesa e të cilave është shumë e ulët. Pra, një pjesë e depozitave kanë vlera minimale për të mos thënë zero. Fenomeni që vë re është pasiguria edhe te vendosja e depozitave për një afat të gjatë sepse mund të ndodhë që individi që ka nevojë dhe kjo i shtyn ato drejt atyre rrjedhëse që ti tërheqin në çdo moment. Fakti që kemi një trend në rritje për bizneset dhe individët tregon se bizneset nuk po investohet, ashtu siç nga ana tjetër investimet e reja nuk kanë filluar. Ndërsa te kursimet e individët duhet parë struktura”, tha  Elona Shehu, eksperte për ekonominë.

Statistikat flasin për një rritje të peshës së depozitave në lekë që kanë ndikuar edhe rritjen vjetore duke u ngjitur ne 46.3% të totalit, nga 44% që përllogaritej marsin e shkuar. Ekspertja Shehu shpjegon edhe faktorët e kësaj tendence.

 “Është parë ndoshta e arsyeshme që të vendosen në lekë këto depozita për shkak të qëndrueshmërisë që ka pasur monedha kombëtare, por nga ana tjetër janë edhe masat që janë marrë për deuroizimin. Do më vinte mirë sikur raporti të ndryshonte në një masë më të madhe. Pra, ti drejtohemi depozitave dhe kredimarrjes në lekë duke qenë se aktiviteti kryesor i pagesave bëhet në lekë”, tha Elona Shehu, eksperte për ekonominë.

Kursimet kanë parë një zgjerim të konsiderueshëm në raport me para pandeminë, pasi krahasuar me muajin shkurt të vitit 2020, janë rritur me rreth 79.4 miliardë lekë, rreth 640 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA