Pas pohimeve se presidenti amerikan Joe Biden po përgatitet të hedhë një hap të cilin Washingtoni e ka shmangur me kohë, njohjen e genocidit armen, pritet reagimi i presidentit turk Rexheo Tajip Erdogan, dhe ai nuk vonoi.
Erdogan mblodhi me urgjencë bordin e lartë të këshillimit, ndërsa e bëri sërish të qartë qëndrimin e vendit të tij sa i takon eventeve të 1915-tës. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim të vërtetën rreth atyre ngjarjeve”, ka thënë Erdogan.
Nëse Biden e përdor vërtet termin genocide në deklaratën që pritet të bëjë në 24 prill, do të shënonte të parën herë që SHBA-ja i bën këtë lloj përcaktimi masakrave të armeneve gjatë viteve të fundit të perandorisë osmane. Megjithatë, duke pasur parasysh rëndësinë e lidhjeve dypalëshe me Turqinë, në minutën e fundit, presidenti amerikane edhe mund të tërhiqet nga përdorimi i këtij termi.
Në vitin 2019, Senati i SHBA-së miratoi një rezolutë jo-detyruese duke njohur vrasjet si një gjenocid, një vendim ky që e zemëroi shumë Ankaranë. Turqia e pranon që në përleshje me forcat osmane gjatë Luftës së Parë Botërore u vranë një numër i madh armenesh, por kundërshton shifrën 1.5 milionë dhe mohon që vrasjet ishin orkestruar sistematikisht dhe se përbëjnë një genocid.
Top Channel