Rusia njoftoi se ka vrarë deri në “200 terroristë” në Siri gjatë një sulmi ajror të saj në një bazë në verilindje të Palmirës, ku pretendohet se grupe luftëtarësh ishin duke planifikuar sulme përpara zgjedhjeve presidenciale të muajit të ardhshëm.
“Pasi i konfirmuan të dhënat përmes kanalesh të ndryshme e saktësuan vendstrehimet e terroristëve, avionët e forcave ajrore të Rusisë goditën shënjestrat”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së mbrojtjes.
Aty sqarohet se u eleminuan deri në 200 militantë, u shkatërruan dy strehime, gati 24 kamionë me mitralozë të kalibrit të madh, si dhe 500 kg municione dhe përbërës për bomba artizanale. Deklarata nuk saktësonte datën e sulmeve apo grupin e shënjestruar. Ajo flet vetëm për një “bazë të kamufluar” dhe element terroristë që po organizonin sulme në Siri. Zgjedhjet e 26 majit janë të dytat që kur konflikti sirian shpërtheu në 2011-tën me protesta dhe një represion nga ana e regjimit të Bashar al Assadit që shkaktoi mbi 388,000 të vdekur.
Ato pritet ta mbajnë Assadin në pushtet në vendin e shkatërruar nga konflikti. Rusia ka qenë një aleate kyç e regjimit sirian përgjatë gjithë luftës civile të Sirisë, e cila me shumë mundësi do të kishte marrë rrjedhë tjetër po të mos ishte për ndërhyrjen ushtarake të Moskës në 2015-tën, e cila bëri që të ndryshonte krejtësisht fati i luftimeve.
Top Channel