Të ardhurat, një përmirësim i lehtë/ Tremujori i parë, 35.6 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020

15/04/2021 20:07

Të ardhurat buxhetore kanë parë një përmirësim të lehtë në tremujorin e parë të këtij viti, duke sinjalizuar një gjallërim të ekonomisë.

Sipas të dhënave të Financave të ardhurat arritën në 108.6 miliardë lekë, rreth 4.4 miliardë lekë apo 35.6 milionë euro më shumë se kundrejt të njëjtës periudhë të 2020-ës.

TVSH-ja që është zëri kryesor i të ardhurave së bashku me tatim fitimin kanë shfaqur një ecuri të mirë, duke pasqyruar një përmirësim të konsumit dhe një gjendje më pozitive të biznesit.

Përmirësim kanë shënuar edhe taksat e punës, tatimi mbi të ardhurat personale dhe ato mbi kontributet shoqërore e shëndetësore, çka tregon për një situatë më të përmirësuar në tregun e punës në vend.

Të njëjtin trend në rritje kanë ndjekur edhe shpenzimet publike, ku financat duket se kanë lëshuar dorën tremujorin e parë të 2021, pasi sipas të dhënave arritën në 115.7 miliardë lekë, apo rreth 8.8 miliardë lekë më shumë se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa deficiti buxhetor nga ana tjetër sipas të dhënave të Ministrisë së Financave u zgjerua këtë tremujor në 7.1 miliardë lekë, apo rreth 35 milionë euro më shumë se janar-mars 2020.

Top Channel