Me nisjen e vaksinimit masiv u përfshinë në këtë proces edhe të moshuarit mbi 70 vjeç, punonjësit e policisë së shtetit, gazetarët dhe farmacistët, veç stafit mjekësor që u vaksinuan të parët së bashku me arsimtarët.
Ndërsa ende nuk janë vaksinuar personat me aftësi të kufizuar e pikërisht kjo kategori i ka drejtuar një kërkesë ministrisë së shëndetësisë për tu vaksinuar me përparësi.
“Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër vetëm ato praktika që janë zbatuar në të gjithë botën, ne vendet fqinje, perëndimore; atë që thotë CDC amerikane: personat me aftësi të kufizuar duke qenë të rrezikuar duhen vaksinuar me prioritet dhe është absurde qe ne nuk kemi një reagim të ministrisë për këtë çështje”.
Nga 170 mijë persona me aftësi të kufizuar ne Shqipëri, sipas Suelës vaksinimi fillimisht duhet të nisë për ata më të brishtët e kësaj kategorie.
Suela Lala: “Jo të gjithë kanë të njëjtin vulnerabilitet klinik. Pra edhe mes nesh duhet patjetër të ketë një lloj klasifikimi për grupet që janë me në risk. Përmend këtu personat që marrin dializë, personat me sindromën down, personat tetraplegjik e me dhjetëra nëngrupe të tjera të cilëve u rrezikohet vërtet jeta nga virusi”.
Vetë Suela Lala e paralizuar në një aksident tragjik nuk e ka kaluar covidin, por disa miq të saj të aftësisë së kufizuar nuk jetojnë më pas sëmundjes e shumë të tjerë në pamundësi financiare janë në gjendje jo të mirë shëndetësore ndaj vaksinimi për ta do të ishte shpëtim.
Suela Lala: “E kanë kaluar prindërit e mi dhe riskun e kam patur shumë afër edhe me thënë të drejtën ishte një situatë shumë e frikshme. Ka patur psh një vajzë e re me sindromën down, një djalë me autizëm.”
Top Channel