Pavarësisht thuajse 40 viteve mbi supe, Zlatan Ibrahimovic nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe forma e mirë që po kalon te Milani, ka bërë që kuqezinjtë t’i ofrojnë rinovimin edhe për një tjetër sezon.
Burime pranë klubit kuqezi konfirmojnë se palët kanë nisur negociatat prej javësh dhe janë shumë pranë marrëveshjes për të zgjatur kontratën deri në verën e 2022-shit, kur Ibra të ketë 41 vite mbi supe.
Paga bazë e veteranit suedez pritet të mbetet e njëjtë, ndërsa palët po negociojnë në lidhje me bonuset dhe premiot në lidhje me paraqitjet personale të Ibrës si dhe objektivat e arritura nga klubi i Milanit. I rikthyer te Milani në dhjetor të 2019-ës, Ibra tregoi shumë shpejt se ka ende për të dhënë në futbollin e niveleve të larta, teksa edhe këtë sezon ka shënuar 15 gola me fanellën kuqezi, duke udhëhequr skuadrën drejt një vendi në zonën Champions.
Pikërisht dëshira për të luajtur sërish në kompeticionin më spektakolar për klube në botë, ka bërë që Ibra të marrë në konsideratë rinovimin e kontratës me kuqezinjtë, ndërsa zyrtarizimi i marrëveshjes së re pritet të vijë që gjatë këtij muaji. Vlen të theksohet se drejtuesit e Milanit po vijojnë negociatat me Mino Raiolën edhe për rinovimin me portierin Donnarumma, kontrata e të cilit përfundon në muajin qershor të këtij viti, por në këtë rast palët janë ende larg njëra-tjetrës.
Top Channel