Ish-kryeministri 1997-tës dhe deputeti Partisë Socialiste Bashkim Fino nuk e fitoi dot betejën me Covid 19, sëmundje që i shkaktoi infarkt e duke e ndarë nga jeta në moshën 59 vjeçare paraditen e kësaj të hëne.
Me një vendim qeverie e hëna për nder të Bashkim Finos u shpall ditë zie ndërsa flamuri kombëtar u ul në gjysmë shtizë.
Bashkim Fino do të mbahet mend si politikani i pajtimit. Në pranverën e trazuar të vitit 1997 ai drejtoi qeverinë e pajtimit kombëtar në një kohë kur dëgjohej vetëm gjuha e armëve në Shqipëri. Arriti të vendosë pak rregull në shtetin e shkatërruar dhe organizoi zgjedhjet e qershorit të atij viti. Edhe sot në ditën e fundit mes miqve dhe të afërmve, për bashkim Finon të majtë e të djathtë u bënë bashkë për ti dhënë lamtumirë politikanit zemër mirë që nuk harroi kurrë të buzëqeshte.
Kryesocialisti Edi Rama e quajti lajmin si të pabesueshëm por fatkeqësisht te vërtetë që Bashkim Fino nuk jeton më, duke njoftuar ndërprerjen e aktiviteteve elektorale. Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda ngjitën shkallët e Pallatit të Kongrese për t’i dhënë lamtumirën e fundit Bashkim Finos.
Të njëjtën gjë bëri edhe shefi opozitës Lulzim Basha i cili anuloi aktivitet elektorale planifikuar në Fier dhe me bashkëshorten zhvilloi homazhe.
Krahas bashkëpunëtorëve të tij socialistë, lamtumirën e fundit Bashkim Finos ia dhanë edhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria përfshi Ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe disa kolegë të saj nga trupi diplomatik.
Me një hap të ngadaltë, ceremoniali i gardës së republikës lëvizi arkmortin e Bashkim Finos nga holli i Pallatit te Kongreseve.
Shumë qytetarë e politikanë u rreshtuan krah më krah duke dhënë lamtumirën e fundit Bashkim Finos, që e nisi rrugëtimin e tij si politikan lokal dhe qe me tej hyri në historinë moderne të shtetit shqiptar.
Top Channel