Konsumi u rimëkëmb në tremujorin e fundit të vitit, për herë të parë pas pandemisë. INSTAT raportoi se shitjet në volum në tregtinë me pakicë janë rritur 2,6%,krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Por, të dhënat më të detajuara sipas aktiviteteve ekonomike tregojnë se rritja e shpenzimeve për konsum ka ardhur kryesisht për dy nevoja kryesore, njëra bazike për ushqime e pije, ndërsa tjetra e detyruar nga situata pandemike, duke rritur në nivele rekord blerjet e produkteve farmaceutike e mjekësore.
Në dhjetor blerjet e produkteve ushqimore e të tjera u rritën si në dyqanet e pa specializuara (ato të ashtuquajtura të lagjes), ashtu dhe në ato të specializuara (supermarkete), përkatësisht me 9 dhe 7.8%, sipas indeksit të vlerës.
Konsumi i karburanteve ka vijuar të jetë i dobët; blerjet e produkteve kompjuterike kanë rënë, pasi u rritën ndjeshëm në periudhën e karantinës; blerjet e veshjeve u rritën në tetor, për t’u ngadalësuar më muajt e mëpasshëm.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja e shpenzimeve në tremujorin e fundit, është përqendruar kryesisht në produktet mjekësore e farmaceutike, që kanë njohur një rritje dy shifrore, shumë më të lartë në krahasim me aktivitetet e tjera ekonomike (shiko grafikun: Ndryshimet vjetore, Indekset e vlerës, tregtia me pakicë, T IV 2020).
Sipas INSTAT, indeksi i vlerës për “Produkte farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike”, u rrit me rreth 22% si në tetor ashtu dhe në nëntor, në krahasim me muajt përkatës të një viti më parë. Ndërsa në dhjetor, kur kulmoi pandemia e Covid-19, treguesi në vlerë u rrit me 26%. (Në të njëjtat nivele është rritur dhe treguesi në volum).
Të dhëna nga tregu pohojnë se pandemia ka nxitur konsumin e një baze të gjerë produktesh farmaceutike që përfshin antibiotikë, kortizonikë, antikaulgulantëve (hollues të gjakut), antiulcerozët, antiinflamatorët, grupin e suplementeve, vitaminave, antidepresantë, antiulcerozë etj., dhe një sërë preparatesh të tjera mjekësore që nevojiten për trajtimin e pandemisë.
Shumë individë po zgjedhin të trajtohen në shtëpi, çka ka rritur shpenzimet për blerjen e produkteve të nevojshme. Nga ana tjetër ka një tendencë për t’u ngarkuar me barna që në ditët e para të pandemisë, shpesh edhe pa këshillën e mjekëve, ndërsa mungon një protokoll i qartë trajtimi.
Produktet e përdorura për kurimin e pandemisë, -disa prej të cilave hynë dhe kontratabandë, pasi nuk janë të licencuara nga Agjencia e Barnave, – janë relativisht të shtrenjta. Psh, disa prej medikamenteve më të shtrenjta, që po përdoren për të luftuar Covid-19 dhe çmimet e tyre, sipas burimeve nga tregu janë:
-Cefepima 1100 lekë/ gram
-Ceftriaxon 500 lekë/ gram
-Tazocina 4.5 gr 700-2000 lekë
-Levofloxacina ampule 1200 deri 1800 lekë/ampulë
-Hollues gjaku, Enaxaparina, 850 lekë/kokrra
-Kortizonikë, Dexametazoni, 100 lekë/kokërr
Një trajtim, për një të sëmurë mesatar në vend, sipas mjekëve kushton mesatarisht 170 mijë lekë, (ose gati 1400 euro), sipas tabelës së mëposhtme.
Nëse kësaj terapie i shtohet dhe trajtimi me oksigjen, kosto rritet me rreth 40%, duke arritur në rreth 2 mijë euro.
Që nga qershori, kur pandemia filloi të përhapej në vend, shitjet e produkteve farmaceutike e mjekësore janë rritur me rite dyshifrore (shiko grafikun: Indeksi i vlerës, ndryshimi vjetor, Produkte farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike).
Pavarësisht konsumit të lartë të produkteve farmaceutike e mjekësore, norma e vdekshmërisë në vend nga pandemia ka rezultuar ndër më të lartat në Europë. Të dhënat nga Eurostat, INSTAT dhe institutet statistikore të rajonit, të përpunuar nga Monitor, tregojnë se në vitin 2020, Shqipëria shënoi rritjen më lartë të vdekjeve në Europë, në krahasim me mesataren e 2016-2019.
Sipas INSTAT, në vitin 2020 janë shënuar gjithsej 27,605 humbje jete, me rritje prej 26.4% në krahasim me mesataren e 2016-2019, duke shënuar dhe nivelin më të lartë historik të jetëve të humbura në një vit.
Shteti i dytë në Europë, me rritjen më të lartë të fataliteteve është Maqedonia, me 22.5%, e ndjekur nga Kosova, me 22.1%, duke i bërë të tre vendet e rajonit më të brishtat ndaj pandemisë, çka ekspozon dobësitë e sistemeve shëndetësore përkatëse./ Monitor
Top Channel