Të shtëna me armë janë dëgjuar mbrëmjen e sotme rreth orës 19:30 në fshatin Gradishtë, Divjakë.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se një person i identifikuar si Artan Kaboci, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor, ishte i armatosur dhe është përfshirë në një konflikt në fshatin e tij. Kaboci njihej si person problematik në zonë.
Policia bën me dije se i kanë bërë thirrje shtetasit A.K të hidhte armën por 34-vjeçari nuk i është bindur thirrjes dhe në tentativë për tu larguar ka dëmtuar me sende të forta tre mjete të Policisë.
Njoftimi i policisë
Sot rreth orës 19:30, në Sallën Operative ka ardhur një njoftim se në fshatin Gradishtë, në banesën e shtetasit A. K., 34 vjeç, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar shërbimet e policisë të cilët kanë bërë rrethimin e banesës dhe vendosjen e perimetrit të sigurisë. Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje shtetasit A.K të hidhte armën por 34-vjeçari nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe në tentativë për tu larguar ka dëmtuar me sende të forta tre mjete të Policisë.
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin dhe kapjen e tij. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel