Të ardhurat e bashkive kanë parë një përmirësim të lehtë gjatë janarit, pasi sipas të dhënave të Financave kanë arritur në 1.3 miliardë lekë, nga 1.2 miliardë që ishin janarin e 2020-ës.

Ndikimin pozitiv në rritjen e arkëtimeve të pushtetit vendor ka dhënë më së shumti ndikim taksa e ndikimit në infrastrukturë që mban edhe peshën kryesore të të ardhurave si rrjedhojë e lejeve të reja të ndërtimit, teksa më pak para janë mbledhur nga detyrimet e biznesit të vogël për shkak të zerimit të disa taksave prej 1 janarit.

Me gjithë rritjen e lehtë, për Merita Toskën, eksperte e çështjeve të pushtetit vendor 2021 nuk do të jetë një vit i lehtë për 61 bashkitë, pasi sipas saj kriza do të sjellë një ngushtim të të ardhurave. Një vit më parë, pushteti vendor humbi rreth 1.2 miliardë lekë të ardhura (9.7 mln euro) për shkak të pandemisë.

“Viti në tërësi nuk do të jetë vit i thjeshtë duke përjashtuar periudhën parazgjedhore që karakteirozhet nga një përshpejtim i shpenzimeve qoftë në nivel qëndror apo vendor. Dhe investimet do të jenë zëri që do ta ndjejnë më shumë këtë gjë, pasi përcakton zhvillimin afatgjatë të bashkive dhe vendit në tërësi. Viti është i gjatë dhe duke qenë se do të kemi më pak dhjamë të vënë gjatë 2020, vështirë se në 2021 mund të kemi një mbajtje apo rritje të nivelit të të ardhurave që kemi pasur në 2019 për bashkitë”,  tha Merita Toska, eksperte për çështjet e pushtetit vendor.

Në kushte të tilla, Toska vlerëson si emergjente alokimin e fondve të bashkive në bazë të prioriteteve, duke marrë parasysh se ky është edhe një vit zgjedhor.

“Bashkitë tashmë po hasin vështirësi në emergjencat civile, menaxhimi i fatkeqësive natyrore, tërmeti, pandemia, përmbytjet. Do ishte mirë të rritet eficienca si në kahun e mbledhjes së të ardhurave duke zgjeruar bazën e tatimpaguesve dhe nga ana tjetër duhet të racionalizojmë shpenzimet. Buxheti një është”, tha ajo.

Ndërsa shpenzimet e bashkive nga ana tjetër kanë ndjekur një trend të lehtë në rënie, duke regjistruar një nivel prej 2.3 miliardë lekë në fund të janarit, duke shënuar një rënie prej 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Top Channel