Lajcak në Kosovë/ Procesi i dialogut të përmbyllet në mandatin Kurti-Osmani

02/03/2021 12:44

Dialogu Kosovë- Serbi pritet të rifillojë shumë shpejtë me krijimin e Qeverisë së re dhe Bashkimi Evropian pret që ky proces i nisur dhjet vjet më parë, të përfundoj brenda muajsh.

Pas takimit me të dërguarin për dialog Miroslav Lajçak, Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani ka shprehur gatishmërinë e Kosovës që të nisin dialogun, por se për të do të caktohen vijat e kuqe.

Lidhur me qëndrimin e Kryeministrit të ardhshëm, Albin Kurti, se dialogu nuk është prioritet i parë apo i dytë, Lajcak ka thënë se BE-ja është e gatshme ta mbështes Kosovën në rritje të punësimit dhe luftim të korrupsionit pasi janë prioritete edhe të BE-së.

“Duhet t’ju them se sa më shpejtë që Kosova e Serbia të jenë të gatshme, ky proces mund të përfundojë në disa muaj, por s’është çështje vitesh. Nuk i takon BE-së. Është mes Kosovës e Serbisë të caktojnë sa shpejt duhet ta kryejnë këtë. Nëse duan takime mujore, apo javore. S’do të ketë edhe shumë vjet e kohë nëse ka përkushtim. Po mendoj se mund ta kompletojmë këtë proces me marrëveshje gjithëpërfshirëse gjatë mandatit të Kurtit dhe Osmanit. Nuk shoh pengesa në këtë rrugë.”

Lajçak u pyet sërish rreth hartës në të cilën Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë.

Diplomati sllovak tha se me këtë veprim nuk ka dashur ta ofendoj askënd, duke ri potencuar se kjo është harta zyrtare aktuale e BE-së.

 “Një zyrtar i BE-së mund të përdorë vetëm hartë zyrtare të BE-së, dhe kjo është ajo hartë, dhe ndarja mes Kosovës dhe Serbisë është e qartë, por kjo ka krijuar një reagim emocional. Megjithkëtë kjo është dëshmi se kemi nevojë për dialog.”

Mikpritësja e këtij takimi, Osmani tha se do të kërkojnë rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara gjatë procesit të dialogut dhjetë vjeçar, pjesa më e madhe e të cilave nuk ishin respektuar nga Serbia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA