Kryebashkiaku Erio Veliaj, drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, në një takim me banorët e Njësisë 7, deklaroi se oferta e PD-LSI dhe aleatëve rë tyre është riciklimi i të gjitha figurinave të 30 viteve, të cilët i përcjellin si ndryshim.
“Në Njësinë 7 kanë sjellë Agron Shehun, njeriu që regjistroi rezultatin më skandaloz për PD-në në 30 vite, në Vlorë. As vetë anëtarësia e PD-së nuk e votoi, lëre pastaj mbështetësit e simpatizantët, fare. Do të thotë se ata po riciklojnë në Tiranë të gjithë të lodhurit, të diskredituarit, të falimentuarit. Të gjitha rraqet po na i shesin sikur të ishin moda e fundit”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se nga ana tjetër LSI-së, ka sjellë bandat e targave dhe të diskredituarit e sistemit të drejtësisë.
“LSI ka sjellë Rimin nga Bulqiza, me vëllain e targave. Dosja e tyre në SPAK është më e madhe se sa gjatësia ime. Thonë t’i kthejmë kohët siç ishin. Ende te niveli i vjedhjes së targave jemi ne? Te niveli, jepi makinë vëllait të shkojë të tuajë në kazino? Ai nivel jemi? Kaq shumë e fyejnë Tiranën kur sjellin këta njerëz. Po kur sjellin Tit Fushën? Presidenti Meta është në siklet të madh, sepse që të zhbëhet reforma në drejtësi duhen vota në Parlament dhe të gjithë këtyre që ranë nga vakti, që nuk justifikuan dot pasurinë, u thotë merrni ndonjë mandat në Parlament që t’ia kthejmë reformën në drejtësi mbrapsht, Edi Ramës, Etildës dhe gjithë skuadrës tonë. Kjo është fyerja më e madhe që ata i bëjnë Tiranës, kur sjellin këta lloj personazhesh,” u shpreh ai.
Veliaj tha se është e turpshme se si kërkohet vota e qyetatërve, pikërisht nga ata që nuk kanë autoritet as te familja e tyre.
“Po të ishte Saliu burrë me namuz e reputacion do t’i thoshte dhëndrit, aman mor burrë, merrni disa shtëpi, po mos merrni 35%, 1/3 e klubit “Partizani”, se na morët fytyrën. Me 1/64 e pronës, mori 1/3 e asetit. Njerëz që nuk i ka në refene as familja e tyre. Kur nuk të bindet kunati me dhëndrin, kush do të kapë telefonin të të ndihmojë me ilaçe, e me vaksina, e me fonde për rindërtimin?! Askush”, tha ai.
Veliaj tha se PS është graviteti moral i shoqërisë, një familje politike ku së pari ka forcë morale. “Kur ke forcë morale, mund të kesh edhe forcë numerike. Si shpjegohet që vijnë vetëm nga PD, LSI dhe PDIU tek ne dhe asnjë nga ne nuk shkon tek ata?! Do të thotë që i gjithë vektori po shkon atje ku është e mira, atje ku është qendra e rëndesës, ku është graviteti moral i shoqërisë, dhe graviteti moral i shoqërisë tonë është Partia Socialiste e Shqipërisë,” u shpreh Veliaj.
Top Channel