Një shqiptarë bashkë me 3 bashkëpunëtorët e tij janë prangosur në Londër nën akuzën për pengmarrje.
Policia londineze përmes një komunikate për mediat të cilës i referohet Top Channel thotë se është arrestuar Dorjan Kurtaj, 20 vjeç banues në Wilbury Way, N18 Londër dhe ndaj tij është ngritur akuza për burgosje të rreme, kërcënim, plagosje dhe 2 akuza për armëmbajtje pa leje.
Bashkë me Kurtajn janë arrestuar edhe Selhatin Gunes, Edward Belton dhe Ksildian Lylau.
Të katër të arrestuarit kanë dalë përpara gjykatës Thames Magistrates’ Court nga ku u janë komunikuar akuzat.
Policia Metropolitane londineze thotë se të Enjten e 11 Shkurtit 2021 skuadra speciale e armatosur ndaloi dy automjete në rrugën Montagu Road në rreth rrotullimin e Swaythling Road, N18 në kuadër të një hetimi nga skuadra policore Flying Squad.
Një 20 vjeçar u gjet brenda në makinë me plagë në këmbë pasi ishte goditur me thikë.
Të katër personat në makinë u arrestuan menjëherë. Policia londineze nuk jep më shumë detaje për motivin e pengmarrjes dhe nacionalitetin e personit të marrë peng.
Top Channel