Zemërim në New York pas videos ku policia qëllon 9-vjeçaren me spraj djegës në fytyrë

01/02/2021 17:55

Një hetim i brendshëm ka nisur pas publikimit të një videoje skandaloze ku një oficer policie shihet që përdor sprajin djegës ndaj një minoreneje që ishte ulur në pjesën e prapme të makinës së policisë.

Policia tha se vajza e vogël ishte “vetëvrasëse” dhe kishte kërcënuar të vriste  nënën e saj.

Pamjet nga kamerat trupore të policit tregojnë vajzën e prangosur që ulet prapa në makinën e policisë, por ajo duket e trazuar dhe nuk bashkëpunon për të ndjekur udhëzimet e oficerëve. Pamjet janë errësuar për të fshehur fytyrën e vajzës.

“Hajde tani! Do të të qëlloj me spraj djegës por nuk dëshiroj ta bëj, ulu dhe rri e qetë. Ky është shansi yt i fundit, do të të qëlloj me spraj djegës në sy”, i thotë asaj një oficere policie.

“Dua babanë tim,” thotë vajza e përlotur, ndaj të cilës oficerja përgjigjet: “Do ta gjejmë atë. Do ta rregullojmë dhe punën e prangave”.

Një tjetër oficer afrohet dhe i kërkon vajzës: “Ndalo për një sekondë dhe merr frymë thellë.”

Më pas ajo dëgjohet që ulëret: “Mos të lutem, ndalo!” , kur oficeri nxjerr kanaçen e sprajit dhe ia drejton në fytyrë.

 “Më qëllove në sy! Të lutem!” ulëret vajza teksa policja i thotë kolegut: “Ia hodha.”

Mediat vendase tregonin se policia ishte thirrur për trazira familjare dhe mundësisht një automjet të vjedhur.

Por prindërit e vajzës kishin thënë se trembeshin se ajo do të lëndonte veten apo të tjerët. Vajza ishte prangosur me kërkesën e pridnërve pasi refuzoi të ngjitej në makinën e policisë.

Ajo ishte dërguar për kontroll në spital dhe më pas ishte liruar.

Kreu i policisë së Rochester, Mark Mura tha: “Vajza kishte sinjalizuar se dëshironte të vriste veten dhe të vriste nënën e saj. Por nuk dua të them se është diçka e mirë që qëllosh me spraj djegës një vajzë nëntë-vjeçare”.

Disa anëtarë të këshillit bashkiak të qytetit thanë se ishin të shokuar nga trajtimi policisë për minorenët.

“Si mund të prangoset një vajzë 9-vjeçare dhe më pas të përdoret ndaj saj straj djegës në fytyrë. Unë e kam provuar sprajin djegës dhe mund të them se kjo mund të ndryshojë jetën e saj”, tha këshilltarja Mary Lupien. “Për këtë duhet të mbahet përgjegjësi.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA