Vëllai dhe nëna e Kastriot Demës thonë se gruaja ka planifikuar të vrasë burrin për t’i marrë pasurinë.
Kastriot Dema, i cili ndodhej në arrest shtëpi, dyshohet se plagosi me thikë gruan italiane, me të cilën kanë në pronësi biznesin në Vilëbashtovë.
Carlotta rrëfeu për “Shqipëria live” se është goditur me thikë disa herë nga Kastrioti, i cili po ashtu ndodhet në spital në gjendje arresti.
Por, vëllai i Kastriot Demës refuzon faktin se Kastrioti ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes: “Ku ta dimë ne që e ka goditur Kastrioti Carlottën. Mund të ketë goditur veten, ajo ka staf me precedentë penalë. Ka bashkëpunuar me kuzhinierin, bënë planin që të vrisnin Kastriotin. 4 veta i kanë shkuar vëllait natën në dhomë dhe e kanë goditur me çelës papagall dhe mjete të tjera. Kamerat i ka prishur ajo me stafin, Kastrioti rrinte në izolim, nuk mund të hiqte i vetëm kamerat, është e pamundur”.
“Carlotta me kuzhinierin na i ka bërë të gjitha. Ne e kemi bërë resortin me forcat tona, kam punuar si qen aty. Por ajo do të na e marrë. Unë nuk dua lokalin, dua djalin, që po rri në burg pa të drejtë. Djali im nuk e ka prekur asnjëherë gruan”, rrëfen nëna e përlotur.
Vëllai tregon një foto të Kastriotit, ku duket i plagosur. “Këtë ia kanë bërë ata që mban si staf Carlotta, kanë dashur ta vrasin, ka shpëtuar mirë”, thotë ai
Top Channel