£36,000 borxh/ Nëna rrëfen dhimbjen e vetëvrasjes së vajzës prej vesit të bixhozit online (fotot)

27/01/2021 16:43

Nëna e një gruaje të re që vrau veten në Britani pasi humbi 36,000 paundë në lojra bixhozi, ka treguar së fundmi për dhimbjen në zemrën e saj.

Kay Wadsworth thotë se vajza e saj 32-vjeçare Kimberley nisi të luante në 2015, pas vdekjes së babait të saj dhe problemeve me martesën.

Menaxherja e biznesit pësoi tronditje të madhe kur brenda dy javëve humbi 36,000 paundë, që nëna e saj i kishte dhënë për të paguar borxhet, para të cilat kishin ardhur nga shitja e shtëpisë së familjes në Leeds, në veri të Anglisë.

Zonja Wadsworth tha: “Ditën që vdiq ajo tha ‘Është shumë vonë për mua mama’. Kjo ishte shkatërrimtare”.

“Atë e joshnin dhe e ftonin shpesh menaxherët e kazinove. E donin në tavolinat e lojës për të tërhequr meshkujt. Unë dua që kjo të ndalojë së ndodhuri familjeve të tjera. Është diçka tragjike, shkaterrimtare, është diçka që nuk duhet të ndodhë”.

“Besoj se pandemia e Covid po e përkeqëson çështjen çdo minutë, sepse gratë tashmë janë online”.

“Ato i shohin reklamat e bukura me ngjyra, se si mund të luajnë në internet”.

Zonja Wadsworth thotë se Kimberley, e cila vdiq në 2018, ishte një vajzë e bukur dhe inteligjente, e arsimuar në shkollë private dhe më tej në shkollën ushtarake Duke of York, në Kent.

Ajo shton: “U përfshi kaq shumë në lojën e bixhozit sa e gjithë sjellja dhe karakteri i saj ndryshoi. Thirrej vazhdimisht nga kazinotë për të qenë atje, e kishin kthyer në një VIP, kjo është diçka që unë nuk e dija kur ime bije ishte gjallë”.

Zonja Wadsworth ka dhënë kësaj jave dëshminë për vajzën e saj në komitetin parlamentar të Britanisë për bixhozin, e mbështetur nga një eksperte e sistemit shëndetësor që tha se numrat e grave të prekura janë gjithnjë e në rritje.

“Jam e rrethuar nga gra britanike me problemin e bixhozit dhe rrjedhimisht të vetëvrasjes”, tha  Henrietta Bowden-Jones. “Kjo po kthehet tashmë në normë dhe jo në përjashtim. Këto gra janë të dëshpëruara, çfarë po ndodh kështu? Këto nuk janë raste të 15 viteve më parë, ambjenti ka ndryshuar, është një ambjent predator, me reklama predatore”, tha psikologia.

Në komision dëshmuan gjithashtu katër gra ish-të varura nga bixhozi që kishin humbur një total prej 300,000 paundë. Një prej tyre Nadine Ashworth tha: “Ka një rritje masive në problemin e grave në bixhoz, megjithse perceptimi është se ku është një problem i burrave, tashmë që gjithçka është online gjerat mund të bëhen fshehtësisht dhe gratë kanë një ndjesi turpi për të folur mbi këtë problem”.

Kelly Field nga rajoni verior i Merseyside, e cila tha se ka humbur £70,000 në lojrat online tha për deputetët: “Nëse shikon televizion, nga mëngjesi deri në mbrëmje bombardohesh nga reklamat e lojrave të bixhozit”.

FOTO GALERI
3/4
Zonja Wadsworth tha: “Ditën që vdiq ajo tha ‘Është shumë vonë për mua mama’. Kjo ishte shkatërrimtare”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA