Ekskluzive! Vrasja e Zall-Bastarit/ I kërkohet ndihmë Kosovës për ndërtimin e profilit gjenetik të viktimës

26/01/2021 19:57

Drejtësia kosovare shpresohet të japë sërish ndihmë për zbardhjen e një krimi të ndodhur në Tiranë, ku as identiteti i viktimës as autorët nuk janë zbardhur ende.

Bëhet fjalë për vrasjen përmes djegies të një shtetasi , eshtrat e të cilit u gjetën të karbonizuara majin e 2017 në zonën e Zall Bastarit nga banorë të zonës.

Burime të besueshme pranë laboratorit të kriminalistikës dëshmojnë për Top Channel se në afërsi të kufomës se djegur u gjetën dhe një usb e djegur si dhe një bidon i boshatisur me lëndë djegëse.

USB-ja për në kohë të gjatë iu nënshtruan ekspertimit tekniko kompjuterik, por rezultoi e pamundur të zbuloheshin të dhëna. Pas bashkëpunimit me palën kosovare për një ngjarje tjetër të zbardhur , ku dhe u zbulua vrasja e Eglantina Bucit vrarë nga i ati dhe i vëllai, drejtoria e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë do t’i kërkojë sërish ndihmë Kosovës.

Burimet e besueshme thonë se provat dhe pjesë të eshtrave të djegura me qëllim përfitimin e profilit gjenetik të ADN do të përcillen drejt agjensisë së Kosovës për të përfituar të dhëna me interes për hetimin.

Burimet shumë të rezervuara i thanë TCH se kanë dyshime mbi identitetin e viktimës së djegur se mund të jetë një nga personat e zhdukur pak kohë më parë për një ngjarje kriminale të bujshme e për këtë shkak njërit prej familjareve të viktimës iu është marrë pështymë përmes tamponit steril për tu krahasuar me të dhënat e e kufomës së paidentifikuar.

Top Channel