Nicola Gratteri/ Prokurori vetëmohues që po rrëzon mafian kalabreze Ndragetta, më brutalen në Itali (Fotot)

23/01/2021 20:30

Duke dëgjuar regjistrimin e një përgjimi telefonik, super-prokurori italian Nicola Gratteri stepet pak nga fjalët: “Ai është një njeri i vdekur që ecën”.

Armiku numër 1 i mafies, po dëgjonte zërin e një gangsteri të frikshëm që përgjohej gjatë hetimeve për organizatën më famëkeqe të krimit në Itali.

Hetimet kishin nisur dy vjet më parë nga Gratteri, dhe padyshim që vrasësit e organizatës e kërkonin atë për ‘mish për top’.

Për të nuk ishte çudi shprehja “njeri i vdekur që ecën”, edhe pse kishte mundësi të hiqte dorë nga detyra e tij. Por qëndroi i vendosur.

I rritur edhe vetë në Kalabrinë e dominuar nga mafia, ai i përçmonte familjet sunduese që terrorizonin komunitetin e tij dhe vendosnin diktatin e tyre pa pasur frikë nga dënimi.

Që kur nisi misionin tij të shkatërrimit të bandave në fillim të viteve 1980-të, ‘Signor’ Gratteri, 62 vjeç, ka kaluar muaj i fshehur dhe i ndjekur 24 orë nga skuadra të mbrojtjes.

“Kam jetuar shumë pak me familjen. Nuk kisha gëzimin të shihja fëmijët që rriteshin”, thotë ai për DailyMail.

“Asnjë herë nuk i kam marrë nga shkolla apo t’i shikoj që luajnë në teatrin e shkollës. Tani që janë të rritur ata e kuptojnë se përse nuk kam qenë me ta këto vite.”

Përpjekjet e guximshme të prokurorit kanë vënë prapa hekurave shumë nga gangsterët e famshëm të Italisë. Ora kulmore e tij erdhi disa ditë më parë kur jo pak por 355 kriminelë, anëtarë të grupit mafioz ‘Ndrangheta, kanë dalë para gjyqit.

Ky ishte përfundimi i katër viteve hetime nga Gratteri, në tronditjen më të madhe të mafias italiane, që prej gjyqit të Cosa Nostra në vitin 1986.

Të ndjekur e hetuar nga rreth 3,000 oficerë policie, qindra njerëz u arrestuan të fshehur në mure të rreme, apo hyrje të mbrojtura me kurthe në strofkat e tyre.

Të akuzuar janë gjithashtu zyrtarë të korruptuar me anë të të cilëve gangsterët kanë kontrolluar rajonet, si këshilltarë, oficerë policie, zyrtarë financash e madje dhe një senator.

Padia është ngritur mbi mijëra orë përgjime dhe interceptime, si dhe me dëshminë e dorës së parë të një informatori që ka kryer “mëkatin” madhor të tradhtisë ndaj mafias.

Banda e gangsterëve me origjinë nga fshatrat mesjetare të Kalabrisë tashmë besohet se kontrollon 80 përqind të trafikut të kokainës në Evropë dhe arkëton rreth 70 miliardë euro në vit, ose rreth 3 % të GDP së Italisë.

Ata kanë formuar aleanca me grupe të Amerikës Latine që prodhojnë kokainën, dhe me grupe shqitparësh që e shpërndajnë atë, shkruan DailyMail.

Brutaliteti është tipari kryesor i Ndrangheta-s, që konsiderohet ekstrem edhe sipas standardeve të mafias, prej metodave rënqethëse të vrasjeve apo torturave të atyre që u pengojnë rrugën.

Gjatë viteve ata kanë vrarë dhjetra njerëz, si kundërshtarë ashtu dhe fëmijët e tyre, siç ishte rasti i tre vjeçarit Nicola Campolongo, i qëlluar me armë në kokë në 2014 kur babai i tij tradhtoi bandën.

Në 2012, gjashtë anëtarë të bandës u burgosën për vrasjen e Lea Garofalo, 35 vjeçe, e dashura e një anëtari të bandës që ksihte folur me policinë, dhe më pas trupi i saj u shpërbë në acid.

Në gjykatë u tha sesi ata mbanin një depozitë 50-litra me acid në një shtëpi fshati për zhdukjen e kufomave.

Gjyqi vazhdon.

FOTO GALERI
2/14
Gjyqi drejtohet nga prokurori i famshëm italian anti-mafia Nicola Gratteri, 62 vjeç

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA