Duke filluar nga mesnata e kaluar dhe deri në mesnatën e datës 23 janar, e gjithë zona bregdetare është përfshirë nga era me drejtim jug dhe shpejtësi deri në 30 milje/orë, si dhe lartësi dallge deri në 3 metra.

Në det të hapur regjistrohet një dallgëzim prej 7 ballësh, ndërsa brenda gjirit të Durrësit ajo është 5 ballë.

Kjo situatë ka sjellë pezullimin e lundrimeve të anijeve të tonazhit të vogël, përfshirë dhe anijet e peshkimit, ndërsa tre tragetet e linjave detare me portet italiane të Barit dhe Ankonës kanë mbërritur në kohë.

Nisur nga ky përkeqësim i kushteve atmosferike, Drejtoria e Përgjithshme Detare, me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur ka kërkuar që një ditë më parë bashkëpunimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

Ndërkohë në Vlorë për shkak të kushteve të rënduara atmosferike është pezulluar sot lundrimi i mjeteve të vogla të peshkimit. Forca e detit  llogaritet 5-6 ballë brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë tij 6-7 ballë.

Mësohet se lëvizja e trageteve nuk është pezulluar edhe në këtë port  ashtu si në Durrës por është ndërruar orari i lundrimit të tragetit të linjës me Brindisin nga ora 21 në orën 15, pasi pritet përkeqësim i motit  në orarin zyrtar të nisjes.

Top Channel