Variantet e reja të Covid 19 kanë mbjellë shqetësim në BE. Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von Der Leyen, shpjegoi se nevojitet një hartë e re ku të parashikohen “zonat e kuqe” në të cilat situata epidemiologjike është më e rënduar dhe ku do të duhet te ketë testime dhe karantinë.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel nga ana tjetër sqaroi se kufijtë e brendshëm të bllokut do të mbeten të hapur për hir të tregut të përbashkët, edhe pse shtoi se do të ketë kufizime për udhëtimet jo thelbësore. Në një video-samit krerët e vendeve të BE-së u konsultuan lidhur me krizën e koronavirusit dhe koordinimin e masave për menaxhimin e saj.
Në takim merrte pjesë edhe kancelarja Merkel. Parimisht u pranua ideja për aplikimin e një certifikate vaksinimi. Michel, që drejtoi video- konferencën tha se megjithatë BE mbetet e „rezervuar” sa u përket avantazheve që mund të mundësohen nga certifikata e vaksinimit lidhur me udhëtimin.
Udhëheqësit e BE-së e diskutuan idenë e përdorimit të certifikatave të vaksinës si një formë pasaporte udhëtimi, por propozimi është ende në fazat e tij të hershme. Gjatë muajve të ardhshëm mund të vendoset konkretisht nëse ky dokument do ta lehtësojë lëvizjen e lirë në kushtet e pandemisë.
Top Channel