Dehje më e shpejtë? Temperaturat e larta ndikojnë edhe te shampanja, autoritete franceze autorizojnë prodhimin e saj me përqindje më të lartë alkooli

12/09/2026 22:49

Dashamirësit e shampanjës mund të ‘dehen’ më shpejt, pasi prodhuesit francezë janë autorizuar për herë të parë të rrisin përkohësisht përqindjen e alkoolit në pijet e gazuara.

Prodhuesit në rajonin e Shampanjës mund të prodhojnë këtë vit shampanjë me deri në 15% alkool, mbi kufirin e mëparshëm prej 13%.

Vendimi vjen pas një vere me temperatura rekord dhe thatësirë, të cilat kanë bërë që rrushi të ketë nivele jashtëzakonisht të larta sheqeri. Gjatë fermentimit, majaja e shndërron sheqerin në alkool.

Rajoni i Shampanjës pati gjithashtu korrjen më të hershme të regjistruar ndonjëherë. Sipas shoqatës së industrisë Comite Champagne, ndryshimet klimatike mund ta bëjnë këtë situatë normale brenda 10 deri në 15 viteve.

Megjithatë, rritja e përqindjes së alkoolit pritet të prekë vetëm një numër të vogël verërash. Gjatë fermentimit të dytë, që i jep shampanjës gazin, disa prej tyre mund të kenë kaluar pak kufirin prej 13%, duke arritur rreth 13.1% ose 13.2%.

Për këtë arsye, kufiri është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe vetëm për vitin 2026, deri në 15%.

Sezoni i këtij viti është përshkruar si një nga më të pazakontët në historinë e rajonit, me ngrica të forta në pranverë, lulëzim të hershëm dhe pesë valë të nxehti gjatë verës.

Ekspertët paralajmërojnë se shampanja me përqindje më të lartë alkooli mund të mos jetë domosdoshmërisht avantazh në treg, pasi konsumatorët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt pijeve me më pak alkool.

Shampanja e prodhuar nga rrushi i vitit 2026 nuk pritet të dalë në treg para vitit 2028, pasi ajo duhet të maturohet për të paktën 15 muaj.

Maxime Toubart, bashkëkryetar i Comite Champagne, tha se temperaturat më të larta në të ardhmen mund ta bëjnë korrjen e pazakontë të këtij viti një dukuri normale brenda 10 deri në 15 viteve.

Ndryshimet klimatike po rrisin temperaturat mesatare globale dhe po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive. Evropa është ndër rajonet që po ngrohet më shpejt, me ritëm rreth dy herë më të lartë se mesatarja globale.

Top Channel