Socialistët përkujtuan vrasjen e 4 protestuesve në 21 Janar 2011 në bulevardin dëshmorët e kombit. Ceremonia e njëjtë si 10 vite më parë duke vendosur karafila të kuq në katër pllakatet e katër të rënëve të cilët më herët kryeministri Edi Rama i shpalli dëshmorë të atdheut.

Kryeministri Edi Rama i priu vendosjes së luleve, ndërsa shumë qytetarë të Tiranës mbushen të dyja krahët e bulevardit për tu përkulur në katër vendet, të kthyera në simbolin e kujtimit të  këtyre  vrasje të paprecedcenta në historinë e Shqipërisë.

Ceremonisë përkujtimore në bulevard i parapriu një takim në kryeministri mes kreut të qeverisë dhe familjarëve të Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës.

Rama: Sot bëhen plot 10 vjet nga tragjedia e 21 janarit dhe në këtë 10 vjetor qeveria e Republikës së Shqipërisë ka vendosur të japë titullin e lartë të Dëshmorit të Atdheut për të katër dëshmorët e protestës paqësore të 21 janarit. Njëkohësisht, sot është dita për të bërë një reflektim pas këtij rrugëtimi dhjetë vjeçar në përpjekjen për të kuptuar bashkërisht se si ajo ngjarje tragjike dhe katër jetë të pafajshme të humbura kanë ndikuar historinë tonë të re në dy drejtime themelore. Nga njëra anë, në drejtim të marrëdhënies së qeverisë me protestën dhe nga ana tjetër në drejtim të transformimit të sistemit të drejtësisë.

Ngulmimit 10 vjeçar të familjarëve për të vënë përpara drejtësisë urdhëruesit e 21 Janarit Edi Rama u tha: Ata, të cilët i vranë për herë të dytë dhe i vranë në bashkëpunim me njëri-tjetrin me palë të treta të veshur nën togën e zezë të gjykatësve, do të përgjigjen. Do të përgjigjen ashtu siç do të përgjigjen të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që sot janë angazhuar fort, për të bërë 25 prillin një referendum kundër kësaj qeverie, së bashku me udhëheqësin e këtij referendumi.

Sabit Dedës vëllait Hekuran Dedës nuk i është shuar shpresa për drejtësi.

Sabit Deda: Kanë qenë vite shumë të vështira. Vite të vështira me shpresë tek gjykata speciale. Kemi shpresë.

Muhamed Veliu: Në gjykatën e Strasburgut?

Sabit Deda: Në gjykatën e Strasburgut dhe tek SPAK-u.

Për 4 vrasjet e 21 janarit dhe ata që u plagosën janë dënuar vetëm gardisti Agim Llupo dhe ish kreu gardës Ndrea Prendi. Hetimet deri më tani nuk kanë mundur të nxjerrin urdhëruesit e vrasjeve dhe ata që fshinë serverat e kryeministrisë, për të fshehur gjurmët e këtij krimi shtetëror një dekadë më parë.

 

Top Channel