Eneida Doko, mjekja shqiptare, e cila jetonte e punonte në Gjermani humbi jetën në një aksident tragjik teksa po udhëtonte me automjetin tip ‘Merdeces GLA’.
Rreth orës 11 të mbrëmjes të së enjtes, 34-vjeçarja humbi kontrollin e makinës në rrugën Ammerlander, goditi një ndarëse trafiku dhe u përplas me një shtyllë betoni. Dëshmitarët okularë shpjegojnë se makina u rrotullua dhe përfundoi në një kanal.
Ndihma e parë mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, por Eni Doko nuk arriti ti mbijetonte plagëve të rënda. Partneri i saj prej katër vitesh, Thorsten Wassermann, 48 vjeç foli për gazetën gjermane BILD duke rrëfyer planet që kishin për të ardhmen.
“Ajo ishte një yll që ndriçonte dhe përçonte lumturi e dashuri kudo. Ne donim të martoheshim, të bënim fëmijë. Ishte e aftë të fliste pesë gjuhë dhe ia doli që të mësonte gjermanishten në mënyrë të përsosur brenda një viti. Për të ishte shumë e rëndësishme që ti fliste njerëzve për vendlindjen e saj, Shqipërinë”, rrëfeu Wassermann.
Eni Doko la Shqipërinë në vitin 2016 për të bërë specializimin për psikiatri në Gjermani. Një prej kolegëve të saj shkroi në Facebook se mjekja shqiptare ishte e fokusuar të ndihmonte të tjerët dhe ishte një person me energji. Po hetohet nëse shkaku i aksidentit ishte rrëshqitja, shpejtësia e tepërt ose të dyja.
Top Channel