Jeta e vështirë e migrantëve në Bosnje Hercegovinë, larja në ujë me temperatura nën zero (Fotot)

19/01/2021 16:33
BIHAÇ (AA) - Një ditë e migrantëve të vendosur në kampin "Lipa" jo shumë larg Bihaçit të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) fillon me larjen e rrobave dhe shpërlarjen e tyre në ujin e ftohtë të një përroi aty afër. ( Samır Jordamovıc - Anadolu Agency )

Një ditë e migrantëve të vendosur në kampin “Lipa” jo shumë larg Bihaçit të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) fillon me larjen e rrobave dhe shpërlarjen e tyre në ujin e ftohtë të një përroi aty afër.

Tashmë në orët e hershme të mëngjesit, grupe migrantësh nga kampi lëvizin përgjatë rrugës së ngrirë drejt përroit, të mbështjellë me batanije dhe në duart e tyre me sendet themelore për higjienë personale.

Afër përroit jo shumë larg kampit, ekipi i Anadolu Agency (AA) regjistroi pamje që pasqyrojnë gjendjen e migrantëve në ditët e ftohta të dimrit në BeH. Reflektimi i trishtuar i Lavli Pasin në një pasqyrë prej vetëm disa centimetra në një kornizë plastike të kaltërt flet shumë më tepër sesa fjalët.

Ky indian 40-vjeçar ka qenë në BeH për një vit. Qëllimi i tij, siç tha ai për AA, është të arrijë në Bashkimin Evropian (BE), konkretisht në Itali. Ai nuk dëshiron të qëndrojë në BeH.

Ndërsa Amun Amed nga Bangladeshi ka qenë në BeH për rreth tre muaj. Ai është 25-vjeçar dhe dëshiron të arrijë në Itali ose Francë. Edhe ai, siç tha, iu drejtua përroit ku do të lahej me shpresën se nuk do të ketë pasoja për shëndetin e tij.

Situata në kampin “Lipa” prej ditësh nuk ka ndryshuar. Ekipet e gazetarëve nuk kanë qasje në çadrat e Forcave të Armatosura të BeH-së, të vendosura pas zjarrit të fundit ku u dogjën çadrat në të cilën migrantët deri atëherë qëndruan.

Kolonat e njerëzve të mbështjellë me batanije nga kampi lëvizin drejt përroit aty pranë dhe mbrapa, ndërsa nga disa vende ngrihet tym nga zjarri i ndezur për ngrohje pas larjes në ujin e ftohtë ose përgatitjes së vakteve. Temperaturat në këtë zonë jo larg Bihaçit, arrijnë deri në 15 gradë celsius nën zero gjatë natës.

Funksionaliteti i plotë i kampit, siç është paralajmëruar më herët, pritet për rreth tre muaj. Në kampin “Lipa” qëndrojnë mbi 700 migrantë. BE, kufijtë e së cilës janë mbyllur për migrantët, më parë lëshuan paralajmërim ndaj BeH-së për shkak të menaxhimit të keq të krizës me migrantët.

Autoritetet lokale disa herë kanë kërkuar shpërndarjen e barabartë të barrës së krizës me migrantët në rajonin e mbarë BeH-së, si dhe forcimin e kontrollit të kufirit lindor./Anadolu Agency.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA