Angela Merkel quan bllokimin e Trump nga Twitter ‘problematik’: E drejta e opinonit është themelore

12/01/2021 15:24

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka quajtur së fundmi bllokimin e llogarisë së presidentit të SHBA, Donald Trump nga rrjeti Twitter ‘problematik’, sepse i jep tepër pushtet pronarëve të rrjeteve sociale, ka deklaruar zëdhënesi i saj.

Trump është përjashtuar përfundimisht nga platforma e gjerë sociale prej të premtes për arsye të “nxitjes së dhunës së mëtejshme”, pas bastisjes së ndërtesës së Kongresit amerikan nga mbështetësit e tij.

Megjithse kritike e hershme e Trump, Merkel tha e ishte e zemëruar dhe e trishtuar nga sulmi i protestuesve, por zëdhënësi i saj Steffen Seibert tha se “kancelarja e konsideron problematik bllokimin e llogarisë së presidentit, pasi e drejta themelore e opinionit ka rëndësi parësore në një demokraci.”

“Në këtë të drejtë themelore mund të ndërhyet, por vetëm me mjete ligjore sipas kuadrit të përcaktuar nga legjislatura, dhe jo me vendimin e shefave të rrjeteve sociale apo platformave të tjera dixhitale”, thuhej në deklaratë.

Zëdhënsi i Merkel shtoi se shefat e platformave sociale kishin të drejtë që nuk qëndruan pa vepruar dhe janë të justifikuar për paralajmërimet e vendosura ndaj komenteve të Trump,  por bllokimi i plote i llogarisë së tij i kalon limitet.

Seibert shtoi se shefat e mediave sociale “kanë përgjegjësi të madhe për komunikimet politike që janë të helmuara nga urrejtja, gënjeshtrat apo nxitja e dhunës”.

Ministri francez i financave Bruno Le Maire gjithashtu shprehu sot dyshime për masën ndaj komunikimeve të Trump, teksa tha për radion France Internationale se nuk i takon “oligarkisë dixhitale të bëhet vetë rregullator i vetes”.

Duke i bërë jehonë komenteve të zëdhënësit të Merkel, Le Maire tha se vendimet rregullatore merren nga qeveritarë të zgjedhur dhe jo nga shefat e korporatave.

Merkel, e njohur për qëndrimet multi-lateraliste është kritikuar disa herë nga presidenti Trump gjatë viteve të tij në zyrë.

Në 2019 ajo kritikoi ashpër komentet raciste të Trump ndaj katër kongresmeneve demokrate, duke thënë se solidarizohej me katër gratë me origjinë emigrante.

Ajo ka dënuar gjithashtu Trump për vendosjen e tarifave tregtare ndaj disa mallrave të BE dhe vendimin për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin në 2018.

Gjermania është përplasur shpesh me gjigandët amerikane të teknologjisë dhe rrjeteve sociale prej kulturës së saj të mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë.

Vetë Merkel nuk ka llogari në Twitter për zëdhënësi i saj dhe shumë nga ministrat i përdorin ato për njoftimet e tyre.

FOTO GALERI
2/5
Trump është përjashtuar nga platforma për arsye të “nxitjes së dhunës së mëtejshme”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA