Deti bëhet i kuq në një ishull iranian, ja çfarë thonë ekspertët për fenomenin
Sulmues të karteleve të drogës kanë vrarë të paktën nëntë njerëz në një qytet të kontestuar mes trafikantëve në Meksikë.
Masakra e përgjakshme nisi mbreme vone kur sulmuesit në dy furgonë bastisën një shtëpi ku po mbahej zi, në qytezën Celaya, në krahinën e luftuar të Guanajuato.
Imazhet e shpërndara në mediat sociale tregonin trupa të përgjakur të shpërndarë në rrugë pranë një arkivoli.
Mediat vendase raportonin se numri i viktimave të sulmit të së enjtes mund të arrijë deri në 13 pasi më shumë se 60 plumba ishin qëlluar.
Të shtëna automatiku dëgjohen në videot e shpërndara, që duket se janë regjistruar në skenën e vrasjes së shumëfishtë.
Njerëzit e shtëpisë besohet se po qëndronin zgjuar për funeralin e një burri që ishte vrarë një ditë më herët në qytet.
Në deklaratën e autoriteteve thuhej: “Sekretariati i Sigurisë Qytetare dënon çdo veprim që shkel paqen qytetare dhe shpreh keqardhje për vdekjet e civilëve”.
Nuk kishte ende raportime për përgjegjësinë e sulmit në qytezën në veriperëndim të kryeqytetit Mexico City.
Por Guanajuato është në qendër të një lufte mizore për territor mes bandave rivale të krimit të organizuar, për trafikun e leverdisshëm të drogave drejt SHBA.
Mijëra njerëz janë vrarë në këtë rajon që prej “rritjes” së bandes vendase Santa Rosa de Lima, e cila ka nisur përballjen me kartelin famëkeq Jalisco New Generation (CJNG) prej vitit 2017.
Autoritetet kanë kapur kreun e Santa Rosa në gusht të kësaj vere, por dhuna ka vazhduar të jetë jashtë kontrolli.
Karteli i ri është zgjeruar pas krijimit në një fermë të zonës, teksa nisi aktivitetin me vjedhje të karburantit nga linjat naftësjellëse të qeverisë dhe duke grabitur trenat e mallrave.
Por autoritetet kanë shtuar sigurinë në trenat dhe linjat e karburanteve në dy vitet e fundit dhe banda është kthyer te zhvatjet e pengmarrjet për të mbijetuar.
Ndërsa Jalisco New Generation është karteli më i dhunshëm i drogave në Meksikë, dhe po zgjeron territoret e tij në mënyrë agresive në të gjithë vendin me sulme brutale kundër rivalëve dhe forcave qeveritare.
Mbrëmjen e të martës pesë njerëz u vranë në qytezën e León në Guanajuato.
Sulmuesit erdhën në një apartament ku vranë në vend katër njerëz, dhe një viktimë e pestë vdiq në spital.
Në shtator kriminelët vranë 11 njerëz në një bar në Jaral del Progreso, pranë kufirit me shtetin meksikan të Michoacn.
Ndërsa më shumë se njëzet njerëz u vranë në korrik në një qendër të parregjistruar rehabilitimi nga drogat, në Irapuato.
Duke folur për vrasjet, presidenti vendit Andrés Manuel López Obrador ka thënë: “Situata me të cilën përballet Guanajuato është serioze. Lufta mes bandave është në shumicën e rasteve agresion territori mes tyre”.
Top Channel