Frika nga gjilpërat/ Shkencëtarët britanikë krijojnë vaksinën Covid-19 në formë ngjitëse krahu

06/01/2021 19:10
Prototipi i 'vaksines ngjitese ne lekure'

Shkencëtarët britanikë thanë sot se po zhvillojnë vaksinën e parë në botë kundër koronavirusit në formë ngjitëse në krah ose ne lekure, si alternativë për imunizimin e njerëzve që kanë frikë nga gjilpërat.

Mjeti i ri prej silikoni, i cili funksionon njëlloj si ngjitëset e nikotinës per njerezit qe kerkojne te lene duhanin, ka mikrogjilpëra më të holla se një fije floku, të cilat lëshojnë solucionin e vaksinës nën lëkurë, pa u kuptuar nga personi.

Studiuesit e universitetit të Swansea në Uells, thonë se ngjitëset e krahut lejojnë që pacientët të administrojnë vetë vaksinën në trup dhe të monitorojnë reagimet trupore ndaj saj.

Mjeti do të duhet të mbahet në krah për 24 orë që të injektojë dozën e plotë.

Por përgatitja e versionit të ri do të kërkojë pak kohë teksa studiuesit thonë se presin krijimin e prototipit të parë në prill, ndërsa përdorimin e saj komercial në afro tre-vjet.

Ngjitësja imunizuese do të ketë gjilpëra shumë të vogla, thuajse të padallueshme ne krahasim me aget normale hipodermike të cilat shkaktojnë fobi të shumë njerëz.

“Ato nuk depërtojnë thellë në lëkurë prandaj nuk stimulojnë receptorët e dhimbjes dhe dhembin më pak se aget hipodermike”, tha studiuesja e nanoteknologjisë Olivia Howells e ‘Swansea University’.

Studiuesit thanë më tej se ngjitësja mund të monitorojë reagimin inflamator të pacientit nga parametrat biologjikë të lëkurës, teksa qëndron e lidhur ose e ngjitur në krahun e pacientit.

Studiuesit thanë se përveç pandemisë aktuale, kjo procedurë mund të përdoret në të ardhmen për të tjera sëmundje infektive pasi platforma lejon përshtatje të shpejtë të mjetit.

FOTO GALERI
2/3
Ajo eshte nje alternativë për imunizimin e njerëzve që kanë frikë nga gjilpërat.

Top Channel