Raphael Warnock, pastor i lartë i Kishës Baptiste Ebenezer në Atlanta, u bë senatori i parë me ngjyrë i Goergia-s pas votimeve të së martës, duke përmbysur republikanen Kelly Loeffler.
Me 98% të votave tashmë të numëruara, rrjetet televizive amerikane dhe Associated Press e shpallën garën të fituar nga Warnock. Kontrolli i Senatit në dy vitet e para të presidencës së Joe Biden do të përcaktohet nga rezultati i garës së balotazhit në Georgia, ku triumfi i Warnock-ut përbën që tani një goditje të rëndë për presidentin DonaldTrump dhe partinë e tij republikane.
Nëse në këtë shtet triumfon dhe kandidati tjetër demokrat, Jon Ossof, atëherë senati amerikan do të jetë në shifra të barabarta 50 me 50, dhe vota vendimtare do t’i takojë zëvendëspresidentes, Kamala Harris. Në këtë mënyrë, demokratët do të kenë për herë të parë, që nga koha kur Barack Obama mori presidencën në vitin 2009 nën kontrollin e tyre edhe Shtëpinë e Bardhë, edhe Senatin dhe Dhomën e Përfaqesuesve. Në Xhorxhia, senatori republikan David Perdue po përballet me demokratin Jon Ossoff, një producent dokumentarësh televizivë, ndërsa beteja e republikanes Kelly Loeffler ishte me pastorin Warnock. Që përpara ditës së zgjedhjeve, sondazhet tregonin se dy demokratët kishin një avantazh të ngushtë.
Të dy balotazhet u bënë të nevojshme pasi asnjë nga katër kandidatët nuk fitoi shumicën e duhur në raundin e parë të zgjedhjeve në nëntor. Edhe këtu, presidenti Trump ngriti shqetësime për probleme të lidhura me makineritë e votimit, zyra e Sekretarit të shtetit në Xhorxhia, Brad Raffensperger u përgjigj me një deklaratë se megjithëse u raportuan disa vështirësi ato nuk penguan votimet.
Top Channel