Shtresa e mesme do të vazhdojë të paguajë më shumë tatim mbi të ardhurat edhe për vitin 2021.

Sipas ekspertit fiskal Eduart Gjokutaj barra më e madhe duhet të bie mbi të pasurit dhe jo mbi shtresën e mesme që është edhe një ndër gjeneruesit kryesor të konsumit. Për të lehtësuar individët shton ai, duhet që taksimi progresiv të orientohet drejt kapitalit, diçka që do të sillte nga ana tjetër më shumë të ardhura edhe për buxhetin.

 “Është e vërtetë që individi apo ai që i përket asaj që quhet shtresa e mesme tatohet më shumë. Në fakt duhet të kishte një ndarje midis punës dhe kapitalit dhe buxheti këtë duhet të bënte. Sa do taksonte punën dhe sa do taksonte kapitalin përmes dividentit dhe insturmentave të tjera. Duhet të bëhet një mekanizëm i tillë që të taksohet pasuria, pasi pasuaria vajti vite de fakto pa taksuar pasi këta janë ata individë që kanë akumuluar më shumë kapital dhe mund të prodhojnë më shumë të ardhura për buxhetin pasi janë kapitale që nuk mund t’i shmangen kontrolleve fiskale”, u shpreh Eduart Gjokutaj, ekspert fiskal.

Sipas Gjokutaj, aplikimi i taksës progresive ka sjellë rritje të infomalitetit pasi individët janë të prirur të fshehin të ardhurat e tyre për t’iu shmangur tatimit të lartë mbi pagat që në Shqipëri aplikohet në dy fasha: 13% dhe 23%.

“Të gjitha veprimet që bëhen në mënyrë të tillë që rëndojnë një segment të caktuar taksapaguesish bën që ata të shmangin taksat duke deklaruar pagë më të ulët. Asnjëri nuk arrin dot të kursejë më shumë që t’ia hedhë konsumit pasi kjo është dhe shtresa ku piramida e konsumit në Shqipëri, pasi shtresa mbi këtë segment investon në kapitale apo kursen për shërbimet e veta dhe pjesa tjetër që është poshtë saj është e tillë që e hedh në konsum por është një shtresë më vulnerabël karshi problemeve të tjera sociale”, shton  Gjokutaj.

Qeveria ka njoftuar se do të rishikojë tatimin progresiv mbi pagat pa dhwnw detaje dhe afate, diçka që sipas ekspertëve kërkon një strategji të qartë që mund të kërkojë kohë , në mënyrë që zhvendosje të tilla që mos ndikojnë mbi asnjë palë.

Top Channel