Julian Assange/ Britania bllokon ekstradimin e kreut të Wikileaks drejt SHBA

04/01/2021 21:02

Një gjykatë në Londër ka vendosur sot se themeluesi rrjetit të ekspozimit të abuzimeve qeveritare Wikileaks, Julian Assange nuk mund të ekstradohet drejt SHBA për arsye shëndetësore.

Gjykatësi bllokoi kërkesën prej shqetësimeve për shëndetin mendor të Assange dhe rrezikun e vetëvrasjes në SHBA.

Assange kërkohet nga Uashingtoni për publikimin e mijëra dokumenteve të klasifikuara të ushtrisë amerikane në vitet 2010 e 2011, dhe thotë se çështja kundër tij është e motivuar politikisht.

Departamenti amerikan i drejtësisë shprehu zhgënjim ndaj vendimit duke thënë se publikimet e tij kanë shkelur ligjin dhe kanë vënë jetë në rrezik.

“Jemi të zhgënjyer me vendimin e gjykatës por jemi të kënaqur që argumentet tona kanë dalë fitimtare në të gjitha pikat e ngritura”.

Autoritetet amerikane pritet të apelojnë çështjen brenda 14 ditëve.

Assange tashmë do të rikthehet në burgun britanik të Belmarsh dhe të mërkurën pritet aplikimi për lirimin e tij me kusht.

Assange, i cili mbante një kostum blu dhe maskë të gjelbër fytyre në gjykatë, mbante sytë mbyllur teksa gjykatësi lexonte vendimin.

E fejuara e tij Stella Moris, me të cilën ka dy djem të vegjël, u përlot teksa ngushëllohej nga kryeredaktori i Wikileaks, Kristinn Hrafnsson, i ulur pranë saj.

Duke folur pas vendimit, ajo i bëri thirrje presidentit amerikan që “t’i japë fund kësaj tani”.

“Zoti President, rrëzoi këto mure burgjesh. Lëri djemtë tanë të kenë babanë e tyre, lironi Julianin, lironi shtypin, lironi të gjithë ne.”

FOTO GALERI
2/7
Assange mbante një kostum blu dhe maskë të gjelbër fytyre në gjykatë

Top Channel