Greta Thunberg bëhet 18 vjeçe: Nuk i tregoj askujt se çfarë duhet të bëjë

04/01/2021 19:03

“Nuk po i tregoj askujt çfarë duhet të bëjë, por ka një rrezik se kur flet për disa gjëra dhe nuk e bën në praktikë atë që predikon, do të kritikohesh dhe njerëzit nuk të marrin seriozisht”.

Në një intervistë për 18 vjetorin e saj, aktivistja e ambjentit Greta Thunberg thotë se ka hequr dorë nga blerja e rrobave të reja, dhe nuk është e zemëruar me njerëzit që lëvizin me avionë apo vendosin të bëjnë fëmijë.

Në prononcimin e saj të fundit aktivistja suedeze ofronte një pikëpamje të relaksuar kur pyetej për figurat e njohura që ‘trumpetojnë’ ndërgjegjësimin e tyre për mjedisin dhe megjithatë shtojnë emetimet e karbonit në atmosferë duke përdorur avionët e pasagjerëve.

Ajo pranoi se njerëz të tillë të famshëm mund të akuzohen për hipokrizi.

“Nuk e kam problem,” tha zonjusha Thunberg, e cila shpeshherë ka kryer udhëtime e saj të largëta me mjete detare.

“Unë nuk i tregoj askujt se çfarë duhet të bëjë, por kur nuk praktikon vetë atë që predikon, normalisht që të tjerët nuk të marrin seriozisht.”

E pyetur për aktivistët që thonë se të lindësh fëmijë është e papërgjegjshme prej presioni të popullsisë ndaj planetit, Thunberg tha se nuk e konsideronte egoizëm të lindësh fëmijë, pasi “në thelb nuk janë njerëzit problemi, por është sjellja e tyre”.

Ajo shtoi se dhurata ideale për ditëlindjen e saj do të ishte që njerëzit të bëjnë më shumë për planetin, ndërsa si dhuratë materiale ajo tha se do të preferonte një dritë të re për biçikletën e saj, duke përfshirë dhe humorin.

Ndryshe nga shumë adoleshentë të tjerë, ajo thotë se ka hequr nga lista dëshirën për rroba të reja, prej pasojave mjedisore të industrisë së prodhimit të veshjeve.

“Nuk kam nevojë për rroba të reja,” thotë ajo. “Njoh njerëz që kanë shumë rroba, kështu që u kërkoj atyre të më japin ato që nuk i duhen më. Në rastin më të keq do të blej rroba të përdorura”.

Thunberg pranonte gjithashtu ndjenjën e fajit dhe presionit që ka sjellë mbi familjen e saj, duke përfshirë dhe kërcënimet që ka marrë, gjatë tre viteve tashmë në vëmendjen e publikut.

Ajo tha se nuk merakoset se çfarë thonë njerëzit për të online, por “por kur kjo jep pasoja te njerëzit rreth teje, kthehet në diçka tjetër”.

FOTO GALERI
3/3
Ajo shtoi se dhurata ideale për ditëlindjen e saj do të ishte që njerëzit të bëjnë më shumë për planetin

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA