Viti i ri është pritur me një spektakël fishekzjarresh që ndriçoi qytetin bregdetar të Durrësit, ndërsa sheshet e rrugët si asnjëherë tjetër kanë qenë të boshatisura.

Të vetmit që e kanë shijuar në sheshe  atmosferën e krijuar kanë qenë punonjësit e policisë në shërbim. Ka patur tentativa për të dalë në sheshe dhe hedhur fishekzjarret, po shpejt janë kthyer pas nga shërbimet  policore që janë kujdesur për zbatimin e masave shtrënguese.  Nuk pati hedhje të organizuar fishekzjarresh nga bashkia, po qytetarët më shumë se çdo herë tjetër e kanë ndezur qiellin me hedhjen e fishekzjarreve.

Situata pandemike diktoi dhe mënyrën e të festuarit, duke i mbajtur njerëzit kryesisht në festat e vogla familjare, po ka pasur dhe nga ata që kanë udhëtuar drejt Kosovës për të festuar, po dhe drejt Tiranës e disa hoteleve në bregdet që organizuan festa me numër të kufizuar pjesëmarrësish.  Grumbullimet masive kanë munguar dhe pas një viti të vështirë të gjithë kanë uruar dhe janë lutur për një vit të mbarë dhe plot shëndet.  Familjet e dëmtuara nga tërmeti që ende jetojnë në banesa me qera dhe çadra, lutjet i janë adresuar edhe fundvitit të ardhshëm që t’i gjejë në shtëpitë e tyre.

Top Channel