Rama: Dhuratë Kosovës për vaksinimin e ‘bluzave të bardha’ të Prishtinës

01/01/2021 12:23

Kryeministri Edi Rama ditën e parë të vitit 2021 ka njoftuar se Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës.

Më tej ai ka shtuar se nuk do të harrojë Kosovën, duke njoftuar se një pjesë e vaksinave të siguruara do t’i jepet Kosovës për vaksinimin e mjekëve.

“Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit të Prishtinës. Ta nisin heronjtë në të njëjtën kohë me heronjtë tanë. I kam kërkuar ministres së shëndetësisë që të flasë me homologun në Kosovë. Sado që nuk jemi të pasur. Nuk e kemi pasur në traditë kthimin e shpinës ndaj tjetrit në nevojë. Personeli shëndetësor atje do të ketë mundësinë të vaksinohet si të gjithë kolegët në Shqipëri”, tha Rama.

Me anë të një deklarate për mediat, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se në Shqipëri 10.750 doza të vaksinës do vijnë në javën e tretë të janarit, pas marrëveshjes së arritur me kompaninë Pfizer.

Më tej Rama ka shtuar se 30 mijë doza të vaksinës do të vijnë në shkurt dhe në vazhdim. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se puna për sigurimin e vaksinimit nuk është ndalur me kaq, pasi sipas tij 9 mijë doza do të na i sjellin 2 vende partnere në mes të janarit.

Top Channel