Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, shprehu besimin e tij se në vitin 2021 do t’i jepet fund pandemisë COVID-19.

Ai tha se Maqedonia e Veriut është në prag të imunizimit dhe dëshmi për këtë, sipas tij, është vlerësimi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë se “Maqedonia e Veriut është ndër shtetet më të përgatitura në Evropë”.

“Besoj se vaksina do t’i japë fund pandemisë kudo në botë”, tha Filipçe në një prononcim për mediat, duke dhënë vlerësimin për manifestimet e natës së Vitit të Ri, por edhe duke njoftuar për lindjen e foshnjës së parë, të gjinisë mashkull, në Shkup.

Ai, me këtë rast, shprehu vlerësimin e institucioneve për sjelljen e qytetarëve, durimin dhe respektimin e masave parandaluese.

Në Maqedoninë e Veriut, ndërrimi i vitit nuk u prit në sheshet e qyteteve, ndërsa të gjitha lokalet dhe restorantet u mbyllën në orën 18:00.

“Ishte një vit krize, të cilin bota nuk e mban mend në 100 vjetët e kaluar. Një vit krize, një sfidë e madhe, jo vetëm për shëndetin, por edhe për sistemin ekonomik dhe shoqëror. Një vit, në të cilin qytetarët kanë treguar dhe provuar se çfarë do të thotë të kesh besim në institucione dhe, falë këtij besimi dhe respekti për masat, tani ekziston një situatë e qëndrueshme epidemiologjike, një numër më i vogël i të infektuarve me koronavirus. Spitalet janë bosh dhe uroj që kjo tendencë të vazhdojë”, tha ministri Filipçe.

Maqedonia e Veriut, në natën e Vitit të Ri, raportoi për 15 viktima me COVID-19, 536 të infektuar dhe 741 persona të shëruar.

Rastet e reja pozitive i referohen testimit të 1,662 mostrave, shkruan Rel.

Në total, Maqedonia e Veriut ka diagnostikuar 83,329 persona me koronavirus; prej tyre, 2,503 kanë humbur jetën, 61,447 janë shëruar, ndërsa raste aktive mbeten 19,379.

Top Channel