Shmangie e kufizimeve/ Dyqanet e birrës dhe çokollatës përfshihen te ‘esencialet’ në Belgjikë

29/12/2020 18:04

Qeveria e Belgjikës ka klasifikuar dyqanet e birrës dhe çokollatës si “esenciale”, duke i lënë ato hapur mes valës së fundit të mbylljeve prej koronavirusit.

Megjithë shtrëngimin e masave prej valës së dytë të pandemisë, qeveria belge e konsideron alkoolin dhe ëmbëlsirat si “artikuj esencialë ushqimorë”.

Ignace Van Doorselaere, kreu i kompanisë së çokollatës Neuhaus, tha për mediat: “Çokollata është pjesë e kulturës së këtij vendi, kështu që është diçka esenciale pasi është pjesë e jetës së përditshme, ashtu si dhe birra, ose siç është dhe vera në Francë”.

“Dhe është gjithashtu një produkt gëzimi. Çokollata simbolizon gëzimin. Njoh shumë pak njerëz që nuk e pëlqejnë çokollatën”.

Ai shton se kompania e tij është me fat që bën pjesë në industrinë e ushqimit dhe beson se do t’i mbijetojë 2020, megjithë rënien e madhe tregtare.

Vendi ka më shumë se 2,000 kompani çokollate, të quajtura ‘chocolatiers’.

Dyqanet që shesin birrë gjithashtu u lejuan të qëndrojnë hapur gjatë mbylljeve.

Michael Eftekhari, pronar i Beer Mania – i pretenduar si dyqani i parë i birrës në botë – thotë se tregtia ka rënë me 90%.

Por dyqani i tij online e ka ndihmuar të mbijetojë duke shpërndarë birrë nëpër botë.

“Kjo na ka ndihmuar të mbajmë kokën mbi ujë”, thotë ai, duke shtuar se edhe birra është pjesë e kulturës së vendit.

Shifrat tregojnë se Belgjika ka shënuar deri tani 630,000 raste infektimi me koronavirus.

Në fillim të muajit Belgjika ishte në faqet e para të gazetave pasi një burrë i veshur si Santa Claus u akuzua për përhapje të rasteve të koronavirusit kur vizitoi një shtëpi të moshuarish në Antwerp.

FOTO GALERI
2/5
Çokollata është pjesë e kulturës së këtij vendi, kështu që është diçka esenciale, sipas prodhuesve.

Top Channel